Edi (Edison) Krasniqi dhe Rifadije Grajçevci janë bashkëshortë këngëtarë, e që jeta dhe kënga i ka bërë të lumtur. Por, ka kohë që nuk i kemi parë me ndonjë projekt të ri. Pse? – shkruan “Kosovarja”.

Ata u takun rastësisht në studion “Polifonia” të Naim Krasniqit dhe nuk u ndanë më kurrë: as në jetë e as në punë.

 

 

Janë fitues të çmimeve në “Polifest” (2004) dhe në “Polifest” (2006), kanë edituar 12 albume dhe qindra këngë të realizuara në video. Dashuria dhe kënga janë bazament të jetës së tyre…

Në vazhdim japim një intervistë të realizuar kohë më parë me këta dy këngëtarë të mrekullueshëm, të cilët jemi mësuar t’i shohim më shumë në programet televizive të vitit të ri…

Këngët tuaja vlerësohen shumë nga publiku. Sa jeni të kënaqur me vetveten?

– Çudirat nuk i kemi përjetuar dhe nuk mund të themi se jemi prefekt, por që jemi më të mirët s’besoj se e mohon kush. Po përpiqemi të jemi në hap me vetveten, me kohën dhe me dispozitat e këngës. E ardhmja do të sjellë vlera të reja.

Kënga për ju është hobi apo profesion jetësor?

– Nuk kemi kufizime në këtë rast, por bukuria e jetës sonë është e lidhur me këngën.

Asnjëri nuk jeni imponues, por me modesti po i arrini majat e karrierës. A është kjo mënyra më e mirë për të qenë vetvetja si këngëtarë?

– Nuk jemi aspak imponues e kopjues, sepse origjinaliteti shton vetëbesimin dhe sigurinë në vetvete.

Vlerat e këngës dhe të kënduarit pozitiv u dukën që në fillim të karrierës suaj. Cila ishte gjëja më pozitive që u mundësoi të afirmoheshit si këngëtarë?

Edi: – Gjëja më pozitive dhe më e suksesshme ishte prezantimi im si këngëtar në Festivalin “Polifest” (2004), në Prishtinë, ku u shpërbleva me çmimin e publikut.
Rifadija: – Bashkëpunimi me kompozitorët e mëdhenj: Naim Krasniqin, Valton Beqirin, Xhevdet Gashin, Ilir Osmanin, Fatmir Mujën etj., sepse me veprat e tyre ne u plasuam në treg si këngëtarë të suksesshëm.

Cilat janë këngët që lanë mbresa te publiku dhe ju ende i këndoni me shumë ëndje?

– Këngëtarët që krijojnë përvojë nuk i lënë asgjë rastit, mosdijes apo numrit, ata zgjedhin cilësinë. Por, vlerësimi megjithatë i mbetet publikut, në rastin tonë publiku adhuron këngët: “Hajde luaj o shpirti jem”, “Zemra, zemra”, “Një zemër qanë”, “Falma”, “Unë po dal”, “A më fal?”, që i këndojmë në duet.

Sa albume apo sa këngë keni kënduar gjatë karrierës tuaj dhe cila nga to është vlerësuar më shumë nga publiku?

– Karriera jonë lidhet me vitet e jetës sonë, ne nuk mund t’i përcaktojmë qartë fillimet tona, siç nuk mund ta përcaktojmë fundin e karrierës sonë. Dëshmi janë albumet e realizuara me shumë sukses dhe qindra këngë të realizuara në video.

Kënga u ka sjell fat të shumëfishtë. Si rezultat i njohjes erdhi edhe martesa juaj. A është kështu?

– Fati është i përcaktuar para se të lindim ne. Ndoshta edhe sikur të mos ishim këngëtarë do të ishim martuar prapë bashkë. Megjithatë, këngën e kultivojmë si gjënë më të shtrenjtë jetësore, sepse na ka sjell fat në të gjitha sferat jetësore. Edhe takimin tonë të parë…

A mund ta kujtoni takimin e parë?

– Ishte rastësi. U takuam në studion “Polifonia” të Naim Krasniqit. Aty edhe u njohëm. Aty lindi dashuria që për ne u bë e përjetshme…

Si vazhdoi, pastaj, “shoqëria” juaj?

– Në fillim me pak rezerva, pastaj në mënyrë të hapur dhe shumë komode. Çdo ndejë jona forconte edhe më shumë bindjen tonë se jemi për njëri – tjetrin.

Gjatë kësaj kohe ju vazhdonit të këndonit. A patët ndonjë duet bashkë?

– Meqenëse ishim bashkë, edhe këndonim bashkë. Një forcë mbresëlënëse u gërshetua në këngën duet “Jem dy zemra e një shpirt”, kompozuar nga Fatmir Muja, që edhe sot na emocion neve, e lëre më publikun.

A mund ta kujtoni dasmën tuaj?

– Dasmë nuk kemi bërë, por kemi pasur një aheng të shkëlqyeshëm familjar. Ata që kanë qenë të ftuar e kujtojnë me simpati mbresëlënëse.

A është vështirë të këndohet si bashkëshort në estradën kosovare?

– Ata që kërkojnë punë edhe mund të ndihen në siklet në këto raste. Ne, përkundrazi, plotësojmë njëri – tjetrin dhe ndihemi të mbushur shpirtërisht që jemi bashkë aty. I japim kurajë njëri – tjetrit dhe gëzohemi bashkë për sukseset tona.

A ka pasur thashetheme në adresën tuaj, e që u ka shkaktuar xhelozi?

– Nuk u jemi ekspozuar asnjëherë thashethemeve dhe nuk jemi marr me to. Me qëndrimet tona asnjëherë nuk u kemi lënë vend thashethemeve dhe xhelozisë.

Sa keni kohë për të kënduar, veçanërisht Rifadija, e që është edhe nënë?

Edi: – Edhe pse Rifadija në të shumtën e kohës është e pashmangshme nga familja dhe fëmijët, ajo prapë në skenë këndon dhe shkëlqen si mbretëreshë.

Jeni këngëtarë të muzikës popullore dhe i asaj të lehtë. A janë këto zhanre që u sjellin më shumë të mira apo që i përshtaten më shumë stilit tuaj?

– Nuk jemi robër të një zhanri. Këngët i përshtatim për cilësitë dhe aftësitë tona. Vokali ynë muzikor i shkon për shtati veçanërisht zhanrit të muzikës popullore dhe të lehtë…

A i keni mbetur borxh publikut apo stilit tuaj të interpretimit?

– Secili njeri është borxhli i dikujt ose për diçka, por duhet përpjekur që borxhet të mos jenë të mëdha. Sa i përket muzikës jemi munduar të jemi kreativë dhe mbresëlënës me paraqitje, këndim, tekste etj., por frikohem se adhuruesve do t’u mbesim borxh gjithmonë se muzika është një det i pafund.

Njeriu në jetë ka disa dashuri: profesionin, hobin, dashurinë e jetës etj. Ju cilën nga këto dashuri do ta ruani përjetësisht?

– Përjetësisht do t’i ruajmë dy dashuritë tona: dashurinë e jetës dhe dashurinë për këngën.

Sanije Thaqi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË