Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar falje qytetarëve të Kosovës, për shkak se prej sot nuk do të mund të realizohet qëndrimi i tij për heqjen e taksës 100 për qind në lëndën e parë që importohet nga Serbia.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qëndrimi i tij për taksën, i shprehur më 26 shkurt 2020 nuk u bë vendim, pasi ende nuk ka arritur ta bind partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë është i bindur “zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”.

Kërkim falja tjetër e Kurtit ka të bëjë me seancën e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, e që sipas tij, “nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona”, përcjell Telegrafi.

Postimi i plotë i Kurtit

“Dy kërkimfalje

Të nderuar qytetarë,

Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme.

Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje”, ka shkruar Kurti.

Me 63 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për buxhetin e vitit 2020.

Në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, që nisi më 14 mars dhe përfundoi në orët e para të 15 marsit, Ligji për buxhetin u miratua pa praninë e partive opozitare.

Kuvendi ghithashtu ka miratuar një rezolutë të propozuar nga dy partitë e koalicionit, lidhur me dialogun me Serbinë, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin që të udhëheqë bisedimet politike me Beogradin.

Rezoluta e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, u votua në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit të thirrur për buxhetin, pa praninë e opozitës.

 

MUND TË JU PËLQEJNË