Këngëtari i hiteve të mëdha dhe i vlerave të mëdha është prezent në të gjitha situatat e lumtura familjare, shoqërore dhe individuale. Ai “ngushëllon” mendjen e gjithsecilit dhe krijon atmosferën e haresë dhe emocionit të pa përshkruar. Është ky Ismet Bexheti, i cili karrierën e filloi në fëmijëri, e vazhdoi si student dhe do e përfundojë kur “kënga” ta braktisë atë, shkruan “Kosovarja”.

Jeni ndër këngëtarët më të preferuar të publikut kosovar. Sa ju bën të privilegjuar ky fakt?
– Preferencat e publikut të dhurojnë ndjenja të çuditshme. Është e vetmja kategori që vlerësojnë pa interes. Prandaj, ky është një stimul organik që të obligon për të mos u ndalur. Dhe, të jesh këngëtar i preferuar nga ta, sa është privilegj aq më shumë është përgjegjësi.

Paraqitja skenike a është për ju rutinë e profesionit apo përgatiteni maksimalisht për çdo rast muzikor?

– Çdo paraqitje skenike është e veçantë dhe e papërsëritshme. Andaj, pavarësisht momentit, përgatitem sikur kur jam paraqitur për herë të parë.

Vlerat e këngëtarit thatë se i vlerëson publiku. Po ju, çka vlerësoni si cilësi tuajën pozitive?

– Jo vetëm në tekstet dhe meloditë që i krijoj vetë, por edhe në interpretim unë jam vetvetja.

A mund të evokoni momente nga fillimi i karrierës tuaj si këngëtar dhe cilat kanë qenë emocionet?
– Karriera ime prej këngëtari fillon në Prishtinë, si student i UP-së, ku prezantova Universitetin në “Takimet studentore të universiteteve” në ish-Jugosllavi. Dy vite radhazi garova kundrejt pjesëmarrësve të tjerë në Sarajevë dhe në Split.

Ndërkohë, mbaja mbrëmje muzikore nëpër degë të fakulteteve tona. Kush nuk ka qenë student në vitet 80 në Prishtinë nuk e di ç’është lumturia studentore. As dhuna policore kundër studentëve nuk e zbehu lumturinë e as krenarinë tonë.

Cilat janë këngët që të kanë sjellë më shumë fat?
– Natyrisht, e para është më mbresëlënëse për mua, ajo mbante titullin “Arjeta”, krahas saj vjen edhe kënga “Çka ka hasmi?”, që më kanë lindur pothuaj spontanisht.

Këto dy këngë të para, jo vetëm që më sollën fat, por ma ndryshuan fatin e jetës, sepse më bën të merrem profesionalisht me këngë dhe të mendoj për albumin tim të parë.

Tashmë jeni pjesë e estradës kosovare. Pse nuk ekziston një estradë e tillë edhe në Maqedoni?
– Fatkeqësisht, për momentin estradë në kuptim të plotë të fjalës nuk ka në Kosovë e as në Maqedoni.

Si ishe si fëmijë dhe si i ri dhe çfarë ndjeje për këngën?
– Si fëmijë kam qenë i ledhatuar nga prindërit e mi, kurse si i ri me shumë vrull rinor. Ndjenjat e mija për muzikën nuk fashiteshin, ato dita – ditës morën përmasa të shfaqjes me çdo kusht.

Kështu, vullnetshëm u inkuadrova në shoqëritë kulturore-artistike në Kumanovë. Fillimisht në SHKA “Bajram Shabani” dhe pastaj në SHKA “Jehona e Karadakut”. Dhe, çdo sukses imi muzikor i ngacmonte ndjenjat e mija…

Si u gjendet në Prishtinë?
– Në Prishtinë e gjeta edhe Kumanovën, kurse në Kumanovë nuk e kisha Prishtinën. Pra, Prishtina për mua është Kumanova e dytë.

A keni ndonjë element të veçantë muzikor që e keni bartur nga Maqedonia dhe që e ruani ende me xhelozi?
– Gjithçka tradicionale e kam ruajtur me xhelozi, e edhe kënga hynë në këtë mes. Por, qëndrimi gjatë studimeve m’i gërshetoi vlerat dhe u ndjeva i lumtur që bëra një bashkëdyzim kulturash dhe këto të arritura i barta edhe në Maqedoni.

Është me rëndësi se përmes këngës përcolla elementin e folklorit kosovar në ato anë, që u pranua miqësisht.

Cila ishte arsyeja kryesore që ju bëri, pastaj, të jetoni në Prishtinë?
– Prishtina është vend i mundësive dhe këtë mundësi ua ofrova fëmijëve të mi.

Kush e përbën familjen tuaj të ngushtë?
– Jetoj me prindërit, gruan (Valdeten) dhe tre fëmijët (Nehatin, Egzonën dhe Besartin). Thuhet familje e ngushtë, por për mua është sa gjithë bota.

A mund të evokoni momente nga dasma juaj?
– Jemi martuar në vitin 1992. Dasmën e kemi bërë në stilin kumanovar të kohës, por me një veçanti që e ka dalluar nga të gjitha dasmat e tjera ku këndoja. Pas “insistimit” të dasmorëve, unë këndova 4-5 këngë nga repertori im, duke e thënë urimin për veten në veten e parë e jo në veten e tretë, siç është zakon në dasmat ku këndoj. Dhe, kam bindjen se kjo paraqitje më solli shumë fat…

Ku rrini më shumë me familjen tuaj: në Kosovë a në Maqedoni?
– Kohën e lirë, kryesisht, e kaloj me familjen time të ngushtë dhe bashkë me ta shpesh e vizitojmë familjen e gjerë në Maqedoni.

Fëmijët tuaj a po e ndjekin profesionin tënd apo po shkojnë “rrugës” së tyre?
– Megjithëse të tre fëmijët e mi kanë afinitete muzikore, kam arritur t’i bind që të mos e ndjekin këtë rrugë, por t’i shfrytëzojnë mundësitë tjera që i jep Prishtina si qytet universitar. Muzika është thikë me dy tehe…

Përveç këngës, a keni ndonjë punë tjetër që e bëni gjatë ditës?
– Jam drejtor i bordit në Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe asistent në degën e Muzikës në Universitetin “AAB”.

Sa kohë u merr muzika nga jeta juaj?
– Pjesën më të madhe të jetës e kam të programuar rreth muzikës dhe për muzikën, duke përfshirë përgatitjet, udhëtimet dhe pjesëmarrjet. Por, edhe kur qëndroj vetëm mendoj për ndonjë projekt të ri, bëj plane dhe kontaktoj njerëz që janë në rrjedha. Prandaj, jeta ime është “program muzikor”.

Sa këngë i keni kënduar deri tash përafërsisht dhe në sa programe muzikore keni marrë pjesë?
– Unë nuk jam vetëm këngëtar, por edhe e bëj tekstin dhe muzikën dhe në këtë vazhdë i kam realizuar mbi 120 këngë. Këto këngë janë të përfshira në tetë albume të mijat solo dhe kam realizuar dhjetëra këngë të tjera në kolazh me kolegët e tjerë.

Këtij numri duhet shtuar edhe shumë këngë të zhanrit popullor, zbavitës dhe për fëmijë, e që i kam krijuar për të tjerët.

Keni realizuar edhe mjaft duete me këngëtarë të zhanreve të ndryshme muzikore. Me cilët jeni ndarë shumë i kënaqur?
– Duetet mrekullojnë këngën dhe nëse përshtaten e mrekullojnë edhe stilin e këngëtarit. Unë i kam për zemër duetet, jam i hapur dhe kam realizuar shumë këngë në duet gjatë karrierës sime, por kënga me Golden AG më la mbresa të thella.

Keni realizuar edhe videoklipe për shumë këngë tuajat. A ka përfitime prej këtyre gjërave apo kjo është traditë e punës së këngëtarit?
– Realizimi i videoklipeve nuk është përfitim, por domosdoshmëri. Megjithatë, çdo punë sjell kënaqësi në fund të realizimit. Edhe puna e videoklipeve është argëtuese, është atraksion më vete për ne dhe për adhuruesit e muzikës.

Këngëtarët synim i kanë edhe ahengjet e ndryshme familjare. A jeni merakli pas tyre si të tjerët?
– Dasma dhe ahengjet e tjera familjare për mua janë eveniment më i çmuar muzikor. Në ato raste, me kënaqësinë më të madhe, ia them këngës dhe e ndiej veten shumë të nderuar, e që nikoqiri ka pasur besim në mua, që të gjendem aty në çastet më të lumtura të jetës së tyre.

Prandaj, çdo gazmend familjar ku jam i ftuar, e përjetoj si një gëzim të familjes sime. Thënë sinqerisht, pjesën më të madhe të kohës sime në muzikë ia kushtoj përgatitjes së repertorit të këngëve të ahengut.

A përmbajnë këngët edhe diçka nga jeta juaj personale?
– Kënga në përmbajtjen e saj shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë realitetin jetësor. Aty, patjetër, do të ketë diçka nga jeta personale, por edhe nga jeta e atyre që e dëgjojnë.

Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Kosovarja” dhe për adhuruesit tuaj?

– Mos i harroni kurrë ata që kanë nevojë më së shumti për ju! Sanije Thaqi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË