Mesditën e së hënës, në objektin e Komunës së Prishtinës, një qytetar kishte kërkuar takim me Kryetarin. Por kërkesa e tij nuk ishte e zakonshme.

Ai hyri në objekt duke ofenduar, derisa një ditë më parë e kishte kërcënuar përmes një e-maili të parin e kryeqytetit. I dyshuari është Shkelzen Nokaj i cili pasi është intervistuar të martën është dërguar në mbajtje, shkruan Gazeta Express.

Java nuk nisi bash mirë për Shpend Ahmetin, kryetarin e kryeqytetit të Kosovës. Ai të hënën është kërcënuar nga një person, e arsyeja dyshohet se është një kontest pronësor.

I dyshuari Shkelzen Nokaj, kishte shkuar në objektin e Komunës së Prishtinës, ku duke ofenduar kishte kërkuar takim me të parin e kryeqytetit.

Por, para se t’i shkonte në vendin e punës, Nokaj ishte kujdesur që një ditë më parë të ia dërgonte një e-mail Shpend Ahmetit.

Express mëson se përmbajtja e e-mailit të cilin Nokaj ia kishte dërguar Ahmetit ishte kërcënuese.

Nokaj e ka kërcënuar kryetarin e kryeqytetit, madje në e-mailin e tij ai i ka shkruar Ahmetit se do ta ia vë flakën objektit të Komunës së Prishtinës dhe se asnjëherë nuk do të zbulohet identiteti i tij.

Ndërkaq, gjatë ditës së martë, Nokaj është paraqitur në polici ku edhe është intervistuar. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Personi i dyshuar për rastin e kanosjes qe ka ndodhur dje, pasi që ka pranuar thirrjen zyrtare nga ana e policisë, sot është paraqitur në polici dhe ndaj tij kanë përfunduar procedurat policore. Personi i dyshuar Sh.N. me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka theksuar Ahmeti.

Express të hënën ka kontaktuar edhe asistentin e Ahmetit, Nezir Ismailin, mirëpo ai ka thënë se pët këtë çështje duhet t’i drejtohemi policisë.

“Nuk kam çka të them, flisni me policinë”, ka thënë shkurt Ismaili.

Ndërkohë, në raportin 24 orësh të policisë, rasti është cilësuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar”.

“Ankuesi mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se një i dyshuar mashkull K/Shqiptar ka hyrë në objekt dhe duke e ofenduar verbalisht ka kërkuar takim me Kryetarin e Komunës. Dyshohet se një ditë më parë përmes mesazhit telefonik kishte kanosur të njëjtin. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori ndërsa rasti është duke u hetuar”, thekson raporti.

 

MUND TË JU PËLQEJNË