Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë iniciativën e unifikimit të lidershipit politik të vendit, shkruan “Kosovarja”.

Në harmoni me rolin e tij kushtetues dhe konform gjendjes aktuale të përçarjes pozitë e opozitë, Hashim Thaçi, president i vendit, po synon që shteti të përfaqësohet dhe prezantohet ndërkombëtarisht me një frymë të interesit nacional dhe shtetëror para faktorit ndërkombëtar.

Kështu, në kohën kur para Kosovës janë shfaqur sfida nga marrëdhëniet e dialogut me Serbinë dhe hapjen e liberalizimit të vizave, shteti duhet të frymojë me një disponim dhe qëndrim të harmonizuar politik.

Kosova është në pozitë ta dobësojë mbështetjen nga SHBA-të shkaku i politikës së mosunitetit në vend, ku pozita dhe opozita ndajnë qëndrime shumë kontroverse.

Besohet se në këtë unifikim të politikës kosovare, presidenti po synon të krijojë një bllok konsensual për heqjen e taksës për Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi.

Si thotë ai, askush nuk ka arsye t’i frikësohet tavolinës së bisedimeve. Askush nuk do ta detyrojë askënd të nënshkruaj diçka që nuk është në interesin e vendit, e, gjithashtu, nuk do të nënshkruaj askush lëvizjen e kufijve.

Sidoqoftë, Hashim Thaçi po synon t’i jep fund problemit me Serbinë, meqë barra e dialogut po zhvendoset në Uashington.

Andaj, duhet t’i jepet prioritet zgjidhjes së problemit me Beogradin.

E, nëse Serbia i bën obstruksion marrëveshjes me Prishtinën, faktori ndërkombëtar do ta arsyetojë vendimin e qeverisë Kurti për ta rivënë taksën me gjithë reciprocitetin, që përfshin legjislacionin ndërkufitar të tregut ekonomik në eksport-importin e mallrave.

Takimi me kreun e LDK-së, Isa Mustafën, është cilësuar shumë frytdhënës nga presidenca e Kosovës. E, gjatë ditës priten edhe takime të tjera mes presidentit dhe liderëve politikë dhe kryeministrit Kurti, e që duhet të rezultojnë me një pajtueshmëri mbi platformën e unitetit shtetëror e kombëtar, në favor të një zgjidhjeje mes Prishtinës e Beogradit, e të mbështetur me shumë vendosmëri nga partneri ynë më serioz, SHBA-të. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË