A e dini se edhe nga malli mund të çmendet njeriu? Kështu kishte thënë halla, pasi babai e kishte vizituar në Edrene të Turqisë, pas 43 vjetësh. Vëlla e motër e kishin harruar fytyrën e njëri-tjetrit. Vëlla e motër, e që ishin rritur jetimë, si dy zogj të vetmuar në çerdhe, mund të ishin takuar kudo qoftë tjetër dhe as që do e kishin njohur njëri-tjetrin…

Histori pa u lindur unë
Krejt kjo histori brenda këtyre rreshtave kishte ndodhur shumë vite pa u lindur unë. Ishin fjalë të përditshme të babait që zgjohej në mëngjes, duke kënduar këngë për Mujin e Halilin dhe më pas për t’u zhgrehë në vajë.

Halla dhe babai ishin fëmijë të vetëm, si vëlla e motër nga babai i tyre. Dhe, ishin rritur jetimë. Vëlla e motër i kishin ndarë lotët e shumtë dhe gëzimet e pakta qëkur ishin lindur. Ishin rritur bashkë me ato pak të mira që kishin, kryesisht me shumë gjëra që u mungonin.
Me të marrë lajmin se halla do të shkonte në Turqi, babai e kishte përjetuar rëndë.

Ishte egërsuar edhe më shumë në Serbinë që i kishte vënë zullum familjes së hallës për ta depërtuar në Turqi. Babai qante përditë, i bindur se me hallën më nuk do të shiheshin dhe se do të ishte fundi i tyre.

Babai ishte munduar ta bindte familjen e saj të qëndronte e të mos e lëshonte vendlindjen, por ata kishin vendosur të iknin, duke mos parë dritë në fund të tunelit.

Tuneli ishte i gjatë për të gjithë, e drita nuk shihej askund, por duhej të lindnin shumë gjenerata të reja e të vdisnin shumë breza për ta pritur lirinë e vërtetë.

Herët në mëngjesin e asaj pranvere babai kishte shkuar te halla për ta përcjellë. Për të përcjellë motrën e vetme që kishte në jetë dhe ishte kthyer i përlotur në shtëpi.

Dhe, më lotët kurrë nuk i ishin terur. Babai kishte vdekur me mallin për motrën e vetme, të cilën do e shihte vetëm një herë kur t’ia harronte fytyrën dhe do të vdiste pa e parë më kurrë në jetë.

Në mes tyre kishin qarkulluar amanetet e shumta, si të vetmet porosi që më shumë kishin karakter shpirtëror sesa përmbajtje që mund të përdoreshin në praktikën e jetës së tyre.

E tëra që kishte mbetur mes tyre ishte amaneti i hallës, lënë babait, që ta vizitonte shtëpinë e saj sa më shpesh dhe ta mbante “në këmbë” sa të ishte e mundur.

Halla do të kthehej në atë shtëpi “një ditë”, por askush nuk dinte se kur do të vinte ajo ditë apo nëse do vinte fare…

Halla iku përtej shtatë deteve, siç thuhet në letërsinë popullore, pas të cilëve do ta gjente një tokë, ku do niste një jetë të re në një shtëpi të vogël, që do e ndërtonin shpejt e shpejt, para se t’i zinte dimri, ndërkohë që la në Kosovë një kullë shekullore, tokë e pasuri tjetër.

Do ta merrte me vete vetëm shpresën se do të kthehej një ditë në vendlindje…

E, vetëm ajo shpresë që strehohej në fund të zemrës ishte një motiv për të shkuar, madje edhe në fund të botës, e për të jetuar me ndjenjën e kthimit një ditë kur të ndalonin zullumet e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Takimi pas 43 vjetësh në Turqi
Kishin kaluar shumë vite nga ndarja e hallës me vëllanë e vet.

Por, në një kohë babai im kishte vendosur ta kërkonte motrën në Turqinë e madhe, e që nis në Evropë e mbaron në Azi… Babai niset nga shtëpia me autobusin që shkonte në Stamboll.

Krejt çka dinte për motrën e vet ishte, si të thuash, se motra e tij jetonte në Turqi… Ia kishin ndërruar mbiemrin. Atje ia kishin dhënë mbiemrin Dërguti…
Kishin kaluar 43 vjet pa e parë njëri-tjetrin. Vëlla e motër, e që ishin rritur jetimë e të vetëm, tani ishin harruar nga pamja.

Madje, babai kur qante thoshte se, madje, më nuk i kujtohet si ka qenë fytyra e motrës…
Pas katër ditë udhëtim babai kishte arritur në një vendbanim, i quajtur Kajnaxhe, në Turqi.

Dhe, pyetje pas pyetje e fjalë pas fjale, me ndihmën e një shqiptari, e që kishte pasur fatin e njëjtë si halla, babai e kishte gjetur adresën ku jetonin Dërgutët e Mymleqetit. Prej aty do t’i kalonte edhe nja pesëdhjetë kilometra dhe, kur të arrinte në rrugën me kalldrëm, do merrte drejtimin kah një fushë e gjerë, e që atje diku do e gjente të motrën…

Aso kohe halla ishte plakur shumë, kurse babai im, pra vëllai i saj, ishte dhjetë vjet më i ri se ajo. Gjatë rrugëtimit kishte hasur në një femër që dinte shqip.

“E dini ku jetojnë Dërgutët e Mymleqetit?”, e kishte pyetur.

“Po”, i kishte thënë ajo.

“E njihni në atë familje një plakë nga Kosova?”, i kishte thënë ai.

“Po”, i ishte përgjigjur shkurt ajo.

“A është gjallë?”, i thotë tutje.

Dhe, ajo, në vend të përgjigjes, i kishte thënë të hynte brenda në shtëpinë e parë dhe të priste derisa të ktheheshin familjarët në mbrëmje kur edhe ktheheshin nga puna në fushën e orizit…

Babai kishte hyrë brenda dhe ishte mbështetur në një minder. I lodhur dhe i rraskapitur nga udhëtimi e kishte zënë gjumi. E, kur i del kllapia nuk dinte nëse ishte në ndonjë shtëpi të huaj apo në shtëpinë e motrës së vet.

Ndërkohë, gruaja që dinte shqip e kishte dërguar djalin e vet në fushë t’i lajmëronin Dërgutët se kishin mysafir nga Kosova…

Halla ime, e brengosur se kush mund të kishte ardhur, me një gëzim të shkapërderdhur, kishte përjetuar një gjysmë shprese se do të ketë ardhur dikush që e njihte…

Kur ata hyjnë brenda, në dhomën e ndejës shohin një burrë të shtyrë goxha në moshë. Gjatë asaj pritjeje babai im ishte munduar ta kujtonte fytyrën e motrës së vet, pas së cilës brenda hyjnë shumë nipër e mbesa dhe një nuse goxha e re.

Dhe, pa një e pa dy e merr me mend se më e moshuara ishte motra e tij…

Por, e motra e tij burrin mysafir nuk e njeh… sepse ishin bërë 43 vjet pa parë askënd nga familja e saj, madje as pa dëgjuar gjë për ta, nëse ishin gjallë a vdekur…

“Mirë se erdhe, por nuk po u njoh!”, i kishte thënë ajo.

“Jam Rexha”, ishte përgjigjur babai im.

“Oh, vëlla!”, kishte bërtitur ajo dhe në çast i bie të fikët.

Pas nja disa minutash, pasi e spërkasin me ujë të ftohtë, ajo vjen në vete dhe me sy të përlotur thotë:

“Jam ëndërr a zhgjëndërr?!”.

“Jam Rexha, motër, vëllai yt. Nuk je në ëndërr, por afrohu e më përqafo se shumë më ke mbajtur në krahë!”.

Ishin ngritur të dy në këmbë dhe ishin përqafuar fort e fort…

Më i madhi prej fëmijëve ishte afruar pranë gjyshes së vet dhe i thotë:

“Gjyshe, a është vëllai yt që na ke treguar se shumë vjet e ke bartur në krah? A është vëllai yt për të cilin shpesh zhgëreheshe në vajë?”.

“Po, nipat e mi, ky është im vëlla, për të cilin shumë herë kam derdhur lot…”.

Dhe, në ato momente nipërit dhe mbesat i afrohen dajës së tyre dhe i hidhen në përqafim, duke qarë secili në mënyrën e vet…

Tutje, pa pushuar fare, halla i ishte drejtuar me fjalët: Tregomë si ka vdekur babai? Si ka vdekur axha?
Tregomë për fëmijët tu? Tregomë a është ende gardhi i oborrit?

A po gjelbërojnë theret në pranverë? A po këndojnë bilbilat si dikur? A është ende guri i hambarit mbi të cilin të ulja ty, si i vogël, e të jepja qumësht delesh?

A këndojnë ende qyqet në degët e dardhave turke? A është ende zabeli ku i tubonim delet ditën? A është ende lëndina e Surgjakut si dikur? A është qielli mbi Kosovë i kaltër si dikur?

Vëlla, po të vjen era Kosovë!

Babai të nesërmen e kishte pyetur motrën e vet se cili ishte burimi kryesor i jetës së tyre familjare. Motra i kishte thënë se mbjellja e orizit dhe e patateve janë dy burimet kryesore të jetës së tyre.
Dhe, në ditët në vijim, edhe im at, bashkë me nipa e mbesa, ia mësyjnë arave të tyre, e që ndodheshin përreth lumit… Dhe, fusha e gjerë rreth lumit, me disa hektarë, kishte natyrë gjelbëruese, tokë pjellore…

“Unë, vëlla, deri më tash kurrë nuk e kam ndjerë erën e tokës. E, tash po e ndjej atë, sepse ty po të vjen erë toke Kosove!”, i thotë me lot në sy e motra.

Safet Krivaça (“Kosovarja”)

MUND TË JU PËLQEJNË