Baca Ganë, siç e thërrasin miqtë dhe të gjithë ata që e njohin, është gjellëbërës popullor që ka përgatitur ushqime për vite me radhë në më shumë se 3 mijë dasma dhe ahengje tjera në territorin e rajonit të Mitrovicës dhe më gjerë.

Gani Berisha, 72 vjeçar nga fshati Kçiq i Mitrovicës, në një intervistë për KosovaPress, deklaron se tash është lodhur dhe dëshiron të pushojë, derisa bën të ditur se që nga viti 1969 e ka ushtruar profesionin e tij, të cilin thotë se ende e do.

Berisha ka katër vjet që nuk është duke e ushtruar këtë profesion.

Ai thotë se kurrë nuk ka bërë dallime kur ka ndarë ushqimin, as për të zotin e dasmës, ndërsa çdo personi i ka vënë në tabëll nga 300 gram mish dhe fëmijëve, u ka servuar gjithmonë më pak.

Sipas tij, më lehtë është të ndash ushqim për 200 burra sesa për 100 gra.

Ai tregon po ashtu se fal asaj diplome nga ushtria, në vitin 1972, është punësuar si kuzhinier në KNI ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë, ndërsa për shkak të afërsisë së udhëtimit, në vitin 1982, vazhdon punën si përgjegjës kryesor kuzhine në Fabrikën e Tjegullave në Zveçan, e më vonë edhe në shtypshkronjën ‘Progres’ në Mitrovicë.

Ka ndodhë, vazhdon ai, që në një dasmë të përgatis bukë për 620 dasmorë, ndërsa bën të ditur se kuzhinieri dhe kafexhiu kanë rolin kryesor në dasma dhe ahengje, sepse nëse është ushqimi dhe shërbimi i mirë, atëherë dasmorët janë të kënaqur.

Me fillimin e luftës në Kosovë, ai i bashkëngjitet radhëve të UÇK-së, duke qenë përgjegjës për kuzhinë i Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, në Zonën Operative të Shalës, me ç’rast merr gradën e rreshterit për angazhimin dhe kontributin e tij të dhënë gjatë luftës.

Deri sa flet fjalë miradije për Brigadën 141 “Mehë Uka”, ai rrëfen një ngjarje interesante gjatë luftës, kur një ekip vëzhguesish nga Britania e Madhe kishin ardhur për t’u ushqyer në Shalë.

Ai thekson se di të përgatitë mirë edhe pjekurina të ndryshme, mish të fërguar, qofte, varësisht nga porosia që bën zoti i dasmës.

Berisha rrëfen problemet me të cilat është ballafaquar gjatë dasmave dhe tubimeve tjera, me ç’rast përmend humbjen e lugëve, pirunëve etj.

Ai tregon edhe një prej problemeve tjera, kur për shembull i është thënë se duhet të përgatisë për 200 persona, ndërsa kanë ardhur 260 persona, por siç u shpreh ai, asnjëherë nuk ka dështuar, për shkak se përvoja e kishte mësuar që gjithmonë të përgatisë më shumë.

Baca Ganë, që tani jeton në pension dhe i lumtur me familjen e tij, flet edhe në lidhje me fitimin për punën që ka bërë, ndërsa bën të ditur se iu ka ndihmuar shpesh në përgatitjen e ushqimeve si bashkëshortes, ashtu edhe familjarëve tjerë.

Ai tregon rastet kur ka punuar pa para, duke thënë se ato kanë qenë kryesisht raste të vdekjeve.

MUND TË JU PËLQEJNË