Ngërçi politik ndërmjet LDK-së e VV-së, për postin e presidentit, ka nxitur reagime dhe spekulime për emra rreth mundësisë së emërimit president i Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Pak a shumë është e panatyrshme që të debatohet e flitet parakohshëm për një post, që skadon në mars të vitit 2021.

Kosova nuk është Amerikë, që të nisë të flitet dy vjet më parë, për një post, në krye të së cilit tash është një njeri, legjitimiteti i të cilit ka kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përmes votës së partive në koalicion, e që ishte PDK-ja dhe LDK-ja, me disa të tjerë.

Çka tani?

Kanë nisur të përmenden emra për këtë post, si Jakup Krasniqi, Bekim Jashari, Akademik Rexhep Qosja dhe të përfolurit Isa Mustafa e Lutfi Haziri.

Dhe, të tjerë, e që do të dalin si propozime të nxitura nga barrikadimi LDK-VV, për postin e presidentit.

Po duan t’ia lënë te kryet Presidentit Thaçi një president tjetër, që nuk dihet kush do të jetë, por bile do ishte rendi ta përdorin fjalën “kismet”, se kush e di kush do jetë gjallë deri atëherë.

Ky marifet, që direkt e shenjëtron Hashim Thaçin, do të ishte i kalueshëm, sikur presidenti aktual të ishte burrë me shumë peshë trupore dhe, duke ia lënë një president afër, ky do të dobësohej në stilin e qengjit e ujkut, që kishin pas qëlluar afër njëri-tjetrit:

Ujku ishte i lidhur afër qengjit. Qengjin mendonin ta prenin dhe për ta majur shumë, i jepnin të hante gjithçka. Por, nuk shtonte peshë.

E sollën veterinarin ta vizitonte qengjin dhe i treguan se i kishin dhënë gjithçka të hajë, por qengji ditë e më shumë zajfohej.

Ai u tha:
“Kot po i jepni të hajë, derisa e ka ujkun te koka!”.

Edhe Hashim Thaçi tash e ka tash Albin Kurtin te koka, e për të mos e parë po e ndërron selinë e presidencës!

LDK-VV, ende pa e bërë qeverinë, kanë filluar t’i bëjnë kurth Hashim Thaçit dhe para dite po ia bëjnë gropën atij, e pas dite po bien vetë në të, duke mos u marrë vesh për asgjë mes vete!

Tashmë është bërë bajat edhe nëse arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje, sepse do jetë marrëveshje e zorit, ashtu qysh është ditur prej fillimit se këto dy parti nuk i bashkon asgjë, pos zorit!

Në rrugë për marrëveshje, VV-LDK po krijojnë mundësi të pafundme për batuta, për propozime për idetë e të tjerëve dhe mundësi që këtë marrëveshje shumëkush ta sheh si një zjarr, në të cilin kalimthi mundet çdo kush ta hedhë nga një shishe benzinë për t’u kallur edhe më shumë… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË