Shteti i Kosovës, aktualisht, nuk është i aftë të rezistojë pa SHBA-të, shkruan “Kosovarja”.

Me një përballje të brendshme armiqësore, pa një komunikim të mirëfilltë konstruktiv dhe me ndërskamca politike, Kosova rrezikon seriozisht qëndrimin në këmbë pa Amerikën.

Prandaj, idetë e SHBA-ve, brenda dinamizmit të politikës karshi taksës dhe Serbisë, duhet përfillur cilado qeveri dhe opozitë, pa dallim.

Ne, Kosova, kemi varësi politike nga SHBA-të. Sepse, në momentin që angazhimet amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë pushuan, shkaku i pranisë në Lindjen e Mesme, u shkaktua tërmet në ç’njohjet e shtetësisë së Kosovës!

Dhe, nga ai tërmet, rreth 15 shtete, ku ka pasur ndikim Serbia, i tërhoqën njohjet. Dhe, mjerisht, kjo politikë ende nuk është ndalur.

Edhe pse ato shtete që e kanë tërhequr njohjen nuk qojnë peshë të madhe në politikën ndërkombëtare, ato, megjithatë, e kanë flamurin dhe votën në OKB.

Sidoqoftë, Kosova i ka 115 njohje, falë ofensivës politiko-diplomatike të SHBA-ve, për ta quar shtetin tonë drejt OKB-së.

Mos-uniteti politik i skenës sonë politike, ka treguar se as shteti nuk po ecë rrugës së duhur.

Na njohu Xhamajka, por u demantua njohja pa u bërë as 24 orë! Dhe, si të përçarë që jemi, askush nuk e di të vërtetën.

Nga erdhi lajmi dhe kush e tha i pari? Presidenti e dha lajmin, ndonëse tash e fajëson Vlora Çitakun, ambasadoren e Kosovës në SHBA!

Prandaj, njohjet pa u vërtetuar mirë, shkaktojnë pasoja në politikën e jashtme të Kosovës dhe, për më keq, degradon rejtingun e shtetësisë së Kosovës.

Shtrohet pyetja: A jemi shtet naiv dhe a kemi njerëz e udhëheqës që bëjnë këso gabimesh?

Përgjigjja, fatkeqësisht, është po! Kosova duhet ta unifikojë politikën e jashtme dhe liderët t’i lënë inatet politike dhe të ofrohen momentalisht rreth Albin Kurtit.

Ndryshe, shteti do dështojë dita-ditës. Sepse, këtë po e tregon praktika e përditshme. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË