Ua panë hajrin grave. Sikur të mos ishin ato kurrë nuk do të njihen në publik. Gratë e tyre janë emra të njohur te ne. Dhe, duke qenë burra të tyre, ata fituan një simpati në popull dhe janë bërë të njohur në opinion. Lista e burrave që kanë pasur këtë fat është e madhe, por ne zgjodhëm vetëm disa prej tyre, shkruan “Kosovarja”.

Arben Lila, bashkëshorti i Mimoza Kusarit
E pat lënë postin e ministres dhe pat kandiduar për kryetare të komunës së Gjakovës, ku edhe e udhëhoqi Gjakovën një mandat të plotë. Ajo në historinë e Kosovës arriti të bëhet kryetarja e parë e një komune në Kosovë.

Mimoza Kusari qe ngritur shumë shpejt në skenën politike kosovare, e cila edhe tash, si deputete në Parlamentin e Kosovës, gëzon një reputacion të madh në jetën politike.

Zonja Kusari është e martuar më Arben Lilën, me të cilin kanë edhe fëmijë. Zotëri Lila është inxhinier. Dhe, pa dashur të mohojmë punën dhe aktivitetet e tij, emri i tij më së shumti në media është përmendur si bashkëshorti i kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari.

Hajrush Behluli, bashkëshorti i Shkurte Fejzës
Shkurte Fejza, pa dyshim, është këngëtarja më e respektuar në të gjitha trojet shqiptare. Vlerësohet me epitetet më të larta në skenën muzikore.

Por, ai që i ka qëndruar afër gjatë gjithë karrierës së saj artistike, por edhe në jetën e saj, është Hajrush Behluli, i cili në publikun kosovar njihet si bashkëshorti i këngëtares Shkurte Fejza.

Hajrushi, përpos që merret me menaxhimin e këngëtare Shkurte Fejza, një kohë ka punuar edhe si zyrtar i lartë në Ministrinë e Shërbimeve Publike.

Luan Salihu, bashkëshorti i Shyhrete Behlulit
Shyhrete Behluli gëzon një simpati të veçantë në trojet shqiptare për ruajtjen dhe kultivimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.

Por, në krahë të këngëtares Behluli emër ka bërë edhe bashkëshorti i saj, Luan Salihu. Ata janë bashkë qëkur Shyhretja ishte në shkollë të mesme.

Luani, siç e njohin ndryshe – Luli, në atë kohë punonte në administratën e Fabrikës së Gomës “Ballkan” në Suharekë, e njëkohësisht ka luajtur edhe futboll.

Sipas miqve të tij të afërt, Luli është adhurues i madh i veturave, aq sa rrallëherë e sheh me të njëjtën veturë.

Halil Hamza, bashkëshorti i Remzie Osmanit
Remzie Osmani është ndër këngëtaret më të pëlqyera të estradës. Ndonëse jemi mësuar ta shohim në videoklipe, emisione, koncerte e intervista të shumta, shumë pak e kemi parë në jetën e saj private, të cilën ajo mundohet ta mbajë larg medieve.

Në angazhimet e saj të shumta si brenda ashtu dhe jashtë vendit, ajo gjithmonë shoqërohet nga bashkëshorti i saj, Halil Hamza. Për ata që nuk e kanë parë dhe duan të dinë se si duket Halili, shikojeni foton që po e botojmë…

Naser Bujupi, bashkëshorti i Donika Kada-Bujupit
Deputetja e AAK-së, dikur deputete e “Vetëvendosjes”, është e martuar me Naser Bujupin, me të cilin kanë edhe fëmijë.

Naserin as që do e njihte kush po të mos ishte burrë i Donikës, të cilit, pas 20 vjetësh i papunë, iu ndërrua statusi i punës. Nga një person i papunë ai u emërua agjent i shitjes në Telekomin e Kosovës.

Kjo u bë vetëm pak muaj pasi deputetja Kadaj-Bujupi u rikthye sërish në partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, në mars të vitit 2018.

Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se bashkëshorti i saj është jurist, teksa aludonte se ai e meriton pozitën e re në të cilën është emëruar.

Por, ajo nuk e ka komentuar fare emërimin e tij shkaku i fuqisë politike të saj si deputete e një partie që aktualisht është pjesë e koalicionit qeverisës.

Andaj, përveç privilegjeve që ua ofron pozita e të qenit deputet në Kuvendin e Kosovës, shumë prej tyre, kryesisht ata që janë në pushtet, shfrytëzojnë autoritetin për të punësuar familjarë nëpër institucionet publike. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË