Fjala është për dy partitë: LDK-në dhe Vetëvendosjen. Deri para pak kohësh shumë të armiqësuar, tash përkrahin njëra-tjetrën! Ulen bashkë, por e dinë se pala-palës do ia tërhiqte karrigen para se të uleshin në të. E, kur dikujt ia ngrehë karrigen ai edhe rrëzohet. Shikohen ndërmjet veti, por e dinë se nuk duhen.

Nastradin Hoxha rrinte në katin e dytë të shtëpisë. Në portën e tij u dëgjua një kërcitje e thekshme.

“Kush është në derë?”, pyeti Nastradini.

Ndërkaq, mysafiri lypës i tha:

“Zbrit poshtë!”.

Nastradini i befasuar nga urdhri, zbriti i ndrojtur dhe posa e pa të paftuarin i tha:

“Ç’kërkon këtu?”.

“Bukë!”, i tha lypësi.

“Ngjitu lart!”, i tha Nastradini.

Lypësi, me shpresë se, më në fund, do ta ngopë barkun me bukë, kur deshi të ulej në katin e dytë me Nastradinin, ky i fundit i tha:

“Zoti ta dhashtë!”.

“Po, pse më solle lart?”, i tha lypësi.

“Po ti, pse më zbrite poshtë?!”.

Kështu disi mund të përshkruhet edhe raporti i dy partive që kanë filluar të bashkëpunojnë ndërmjet veti: LDK-së dhe Vetëvendosjes!

E, ç’duhet të bëjë populli në zgjedhjet e radhës?

Elektorati ynë është milet që nuk lexon dhe nuk i sheh gjërat. Edhe në fshatin me mbi 2000 shtëpi nuk vjen asnjë gazetë! Por, e mira e tërë kësaj meseleje është se të gjithë dinë. Pra, askush nuk lexon, por secili di më shumë se tjetri! Unë jam më budallai, me siguri. Lexoj gazeta, hap portalet…

E, kur shkoj në katund për vikend, ata janë më të dijshëm se unë dhe para tyre më duhet të heshtë. Të shtyjnë të pranosh humbjen dhe të mos mund t’u thuash asgjë të keqe. Si, bie fjala, skifteri i Nastradinit, që ia kishte dhënë mbreti. Nastradini e kishte lakmuar mbretin se hante mish të shijshëm, që i siguronte skifteri. Nastradini, si i gjithëdijshëm që ishte, u shpërblye me një skifter nga mbreti. Mbreti i tha:

“Kujdes, ma ruaj skifterin!”.

“Pa gajle”, i tha Nastradini.

Me skifter ai doli për gjah. Me të dal në fushë pa në qiell se fluturonte një shpend i madh dhe Nastradini skifterin ia lëshoi shpendit.

Shpendi i madh e copëtoi skifterin. Që ta bindte mbretin, Nastradini mori skifterin dhe e futi nën gjyben e tij dhe shkoi te mbreti. E nisi rrëfimin për ngjarjen me skifterin dhe i tha mbretit:

“Mbret i nderuar, posa mora skifterin tënd dola në fushë dhe në atë moment po vinte një shpend alamet i madh dhe u mendova gjatë: ta lëshoja a të mos e lëshoja”.

Mbreti i tha:

“Është dashur ta lëshosh Nastradin”.

E, kur mbreti e foli fjalën, Nastradini nxori skifterin e copëtuar nga gjybja dhe i tha:

“Unë e lëshova, por ja çka i bëri shpendi!”.

Në këtë mënyrë Nastradini ia mbylli gojën mbretit. Por, si të veprojë populli për të zgjedhur hyqmetin? Po t’më dëgjonte mua, do ta shikonte punën e vet…

E, që ta kuptoni sa më mirë këtë punë po e tregoj edhe një anekdotë për Nastradinin: Ai shkoi në tregun e bagëtive. Dhe, meqë nuk kishte para, e mori një planc në thes. Kasapi i tha:

“Me këtë planc mund të bësh drekë e darkë të mirë”. “Ma jep recetën e përgatitjes!”, i thotë Nastradini.

Kasapi nisi t’i tregojë si ta përgatiste e Nastradini shkruante. Kur e përfundoi, Nastradini e futi letrën në xhep dhe u nis në shtëpi.

Mendonte të bënte drekë e darkë, por kur u ul e zuri gjumi dhe qeni ia mori plancin. Dhe, i zemëruar që e humbi plancin, Nastradini i tha qenit: “Ti e more plancin, por nuk e ke hëngër me oreksin tim, sepse recetën e përgatitjes e kam në xhep!”.
Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË