Ministrat britanikë kanë hartuar plane për t’i vendosur ushtarët rrugëve që të ofrojnë ndihmë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kjo masë erdhi pasi numri i viktimave nga virusi i ri në vendin ishullor pothuajse u dyfishua brenda 24 orëve.

Me numrin e viktimave që shkoi nga 11 në 21 dhe me rritjen e shifrës së personave të infektuar për gati 40 për qind, qeveria britanike hartoi shpejt plane për t’i ndaluar organizimet publike dhe zbatimin e vetizolimit për të gjithë personat e dyshuar.

Në përpjekje për ta mbrojtur grupin më të ndjeshëm të popullsisë, qeveria pritet të kërkojë nga personat mbi moshën 70-vjeçare që të qëndrojnë në izolim të rreptë në shtëpi ose në qendrat për kujdesin ndaj të moshuarve për katër muaj.

Për t’u përgatitur për skenarët më të rëndë, burimet brenda sektorit të sigurisë i kanë thënë faqes “Daily Mail” se njësitet ushtarake i kanë shtuar trajnimet për veprim në mbrojtje të rendit publik, përfshirë ruajtjen e spitaleve dhe dyqaneve.

Trupat e trajnuara për luftë kimike, biologjike dhe bërthamore do t’i pastrojnë me pastrim të thellë ndërtesat publike, nëse paraqitet nevoja që ato të shndërrohen në spitale.

Ushtria madje ka bërë plane edhe për furnizimin e pompave të karburanteve, nëse vendi përballet me krizë në këtë aspekt, transmeton Gazeta Express.

Numri i personave të infektuar me koronavirus në Britani të Madhe ka shkuar në 1140 dhe dhjetë persona kanë vdekur për një ditë.

MUND TË JU PËLQEJNË