Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Bekim Brestovci thotë se Kosova ka nevojë urgjente për një reforme në sistemin e arsimit.

Sipas tij në nivelin e lartë arsimor duhet të rishikohet veprimtaria e fakulteteve që sipas tij prodhojnë të papunë.

Ai ka potencuar se një ndër shkaqet e ikjes se qytetarëve të Kosovës nga vendi është aftësimi që nuk përkon me potencialin e arsimit.

Andaj sipas Brestovcit, të rinjtë duhet të orientohen në profesione që krijojnë vende pune.

Shkrimi i plotë i bekim Brestovcit:

Orientimi në profesione që krijojnë vende pune

Ndër shkaqet e largimit të popullsisë drejt vendeve tjera, është edhe aftësimi që nuk përkon me potencialin e punësimit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë në vitin 2017 ishte 30.5%, ndërkaq, papunësia tek të rinjtë ishte edhe më e theksuar duke arritur shkallën prej 52.7%.

Strategjia jo e duhur në arsim, e sidomos arsim të lartë, ka shkaktuar hendeqe të mëdha me profesione që nuk kanë kuadro, dhe profesione të tjera që ka një numër të madh të të diplomuarve, por që janë të papunë.

Arsimi dhe aftësimi profesional, ka qëllim që nxënësit t’i përgatis për të qenë më konkurrues në tregun e punës. Mirëpo sot regjistrimi i nxënësve në shkolla profesionale, nuk shihet si opsion parësor, gjersa synim i tyre mbetet regjistrimi në shkollat e mesme të përgjithshme apo gjimnaze.

Kosova ka nevojë urgjente për një reformë në sistemin e arsimit, meqenëse është edhe një shpërputhje e madhe ndërmjet orientimit që nxënësit zgjedhin, me strukturën e ekonomive lokale.

Andaj fillimisht duhet analizuar strukturat ekonomike të vendeve tek të gjitha komunat. Pastaj, duhet që të stimulohen nxënësit që të ndjekin profesionet që shërbejnë dhe u ofrojnë vendeve të tyre kuadro të nevojshme. Në këtë drejtim do të kontribuohej edhe në parandalimin e migrimit të brendshëm.

Ndërsa, në nivelin e lartë arsimor, duhet të rishikohet veprimtaria e fakulteteve që prodhojnë të papunë. Ato, duhet të orientohen në profesione që kanë mungesë të kuadrove. Universitetet tona si në Mitrovicë, Prizren, Pejë e Gjilan, duhet të orientojnë objektivat drejt nxjerrjes së kuadrove që kanë nevojë rajonet përkatëse.

MUND TË JU PËLQEJNË