Një gjyshe 67-vjeçare ka lindur vajzë, në lindje të Kinës, duke u bërë kinezja më e moshuar që sjell në jetë një fëmijë pas një shtatzënie natyrale

“Gruaja, me emrin Tian, lindi të premten me cezarian në provincën e Shandongut”, njoftoi media lokale.

Materniteti i qytetit Zaozhuang konfirmoi se një 67-vjeçare kishte lindur në mjediset e tij, por pa dhënë detaje.

“Fëmija është një dhuratë nga qielli për ne të dy”, deklaroi bashkëshorti i Tian, 68 vjeç.

Sipas të përditshmes “Global Times”, bebja u quajt “Tianci” që do të thotë “Dhuratë nga qielli” në gjuhën kineze.

Nëse konfirmohet se shtatzënia e Tian ka qenë natyrale, bëhet fjalë për një rekord botëror.

E përditshmja lokale “Jinan Times” theksoi se Tian ishte tashmë mama e dy fëmijëve mes të cilëve një djalë i lindur në vitin 1977, menjëherë para hyrjes në fuqi të politikës vetëm një fëmijë vendosur për të frenuar rritjen e madhe demografike në Kinë.

Fëmijët e tyre nuk ishin dakord me këtë shtatzëni, madje Tian tha se vajza e kishte paralajmëruar se nëse sillte në jetë këtë fëmijë, s’do t’i fliste me gojë. Gjithmonë e më shumë gra në moshë të madhe po përpiqen të kenë fëmijë në kinë që pas tërheqjes së ligjit për një fëmijë në vitin 2016.

Në shtator, një 73-vjeçare nga India solli në jetë dy vajza binjake përmes fertilizimit in vitro.

MUND TË JU PËLQEJNË