Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,Hykmete Bajrami ka mbajtur një konferencë për media ku tha se gjatë këtyre 10 ditëve është punuar në disa rrafshe, ku më së shumti fokusi ishte në mbledhjen e materialeve dhe prodhimeve të video-xhirimeve.

Ministrja porositi nxënësit, mësimdhënësit por edhe prindërit që të jenë sa më aktiv e të shfrytëzohen këto platforma.

“Po punohet intesivisht në xhirime, gjatë javës së kaluar kemi prodhuar materiale nga klasa e parë deri në të pestë kurse nga kjo javë do të prodhojmë më shumë nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. E më pas do të hyjmë edhe për gjimnazet dhe shkollat profesionale. Kjo punë nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e shumë profesionistëve e shumë organizatave që punuan bashkë me neve. Falënderoj shumë Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë e shumë bashkëpunëtorë të tjerë, mësimdhënësit që kanë punuar intesivisht pa njohur asnjë ditë orar”, tha ministrja Bajrami.

Ajo shtoi se është mjaftë sfiduese për shkak se nuk është punuar më herët në dixhitalizimin e materialeve didaktike, por është dashur nga zeroja.

“Kemi bashkëpunuar me Komunën e Prishtinës, ne si ministri dhe njëri nga zv/ministrat ishte përgjegjës për çështjet teknike e tjetri përgjegjës për materialet që të jenë edhe në gjuhën boshnjake dhe turke. U kemi bërë ftesë edhe drejtorive komunale të komunave me shumicë serbe që edhe ata të dërgojnë mësimdhënësit e tyre që të mund të bëjnë materiale në gjuhën serbo-kroate, por ende s’kemi marrë përgjigje. Iu bëjë thirrje, nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve që këto platforma të shfrytëzohen që ata të jenë më aktiv”, përfundoi ministrja.

Ndryshe që nga data 13 mars Qeveria e Kosovës ndërmori masa të reja për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19 në Kosovë dhe ndër to ishte edhe ndërprerja e mësimit.

MUND TË JU PËLQEJNË