Dashi
Kjo shenjë njihet për impulsivitetin dhe natyrën pasionante. Dashi e dashuron gjënë e re dhe intriguese, ndaj sado që udhëhiqet nga mendja dhe logjika, nëse ka përballë diçka joshëse nuk i thotë jo. Megjithatë tradhtia e një Dashi është momentale dhe tërësisht tërheqje fizike, nuk ka ndjenjë, nuk ka lidhje të dyfishtë, nuk ka asgjë të tillë “serioze” në mes.

Demi
Demi drejtohet nga Venusi, planeti i dashurisë, së bukurës dhe parasë. Ndaj nëse ju i ofroni një darkë romantike, një masazh sensual, hotel me pesë yje dhe një vaskë plot me petale, shenja në fjalë mund të tregohet e pabesë.

Binjakët
Në astrologji, Binjakët janë më të lidhurit me tradhtinë, kjo për shkak të paqëndrueshmërisë së karakterit të tyre. Duan një lidhje të qetë ama duan dhe pak adrenalinë, janë tradicionalë, aq sa edhe kërkojnë risi. Mos u habisni nëse ju flasin gjithë pasion për monogaminë dhe më pas zbuloni se janë me disa partnerë përnjëherë.

Gaforrja
Gaforret janë qenie shumë të ndjeshme të cilat e urrejnë të ndihen të padëshiruara. Përkundrazi ato kërkojnë siguri, vlerësim e dashuri dhe në rast se partneri nuk ua ofron më, shkojnë e gjejnë pse jo, diku tjetër!

Luani
Të udhëhequr nga zemra, Luanët bien gjithë kohës në dashuri. Në përgjithësi nuk synojnë të tradhtojnë, ama nëse kjo ndodh ka ndodhur vetëm sepse dikush ka ditur t’u tërheqë vëmendjen dhe më pas ta bëjë vetë Luanin qendrën e vëmendjes. Pikërisht ajo që kjo shenjë dëshiron: bota të rrotullohet rreth saj!

Virgjëresha
Si idealiste dhe detajiste që është, Virgjëresha analizon gjithçka në marrëdhënien e saj. Nëse del në përfundimin se lidhja nuk është aspak aty ku duhet ia lejon vetes të shkojë në krahët e dikujt tjetër në kërkim të lumturisë.

Peshorja
Ndonëse Peshoret janë pro lidhjeve të gjata dhe serioze kjo s’do të thotë se janë përherë besnikë: u pëlqen të ndihen të dëshiruar, flirtojnë gjithë kohës derisa ashtu si pa kuptuar përfundojnë në krahët e dikujt tjetër.

Akrepi
Akrepët janë plot e përplot me mistere, ndaj shpesh tradhtia është njëra prej tyre. Si një nga shenjat më pasionante dhe të dhëna pas seksit, pabesia është mëse e parashikueshme.

Shigjetari
Edhe në një marrëdhënie monogame, një Shigjetar ka nevojë të ndihet i lirë dhe të provojë ndjesi të reja. Një eksperiencë më shumë, aq më mirë. Nisur nga kjo logjikë, Shigjetari ka një potencial të mundshëm për tradhti.

Bricjapi
Një Bricjap arrin ta justifikojë mirë e bukur një tradhti përmes fakteve dhe logjikës. Kjo ndodhi për shkak të kësaj, pastaj e pasoi kjo tjetra dhe ja ku në fund të ditës i mbush mendjen vetes (dhe të tjerëve) se qe vetëm një viktimë e rrethanave.

Ujori
Ujorët tradhtojnë me njerëz që ndajnë të njëjtat vlera. Mjafton një bisedë e thellë, dy tre ideale të përbashkëta dhe kjo shenjë i dorëzohet tërësisht pasionit.

Peshqit
Peshqit janë shumë të ndjeshëm, ndaj shpesh tradhtinë e shohin si ngushëllim apo mundësi për të realizuar të gjithë fantazitë e mundshme që në lidhjen serioze nuk i realizojnë dot. Gjithsesi ama, pas çdo tradhtie dalin sërish të zhgënjyer.

MUND TË JU PËLQEJNË