Një person në Prizren është arrestuar pasi ka shpërndarë një video propaganduese me qëllim të përhapjes së panikut tek qytetarët, pas situatës së krijuar nga coronavirusi.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Kemi të ndaluar një person për inçizim të kundërligjshëm. Jemi duke e marrë një deklaratë prej tij, sepse dyshohet që ka inçizuar fqinjin e tij dhe e ka postuar një rrjetet sociale. Ka bërë panik pa arsye”, ka thënë Osmanollaj.

Personi në fjalë kishte inçizuar fqinjin e tij, i cili ishte duke marrë ndihmë nga emergjenca, dhe kishte propaganduar se ishte infektuar me coronavirus.

Osmanollaj thotë se i dyshuari është ndaluar, dhe me urdhër të prokurorit është cilësuar si inçizim i kundërligjshëm.

Gjatë ditës në rrjete sociale janë publikuar video të shkurtra se si një person ishte duke marrë tretman nga emergjenca, duke aluduar se është rast i dyshuar me Coronavirus.

Këtë e ka demantuar drejtori i Shëndetësisë Visar Shehu, “ai rast nuk ka të bëjë fare me coronavirus, por as me virus të thjeshtë, ka qenë një intervenim për një pacient që ka kërkuar ndihmën e emergjencës“.

MUND TË JU PËLQEJNË