Institucionet e drejtësisë më në fund kanë arritur t’i bien në gjurmë djalit të vogël të familjes Hadri, i cili po kërkohet për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit.

Ai është arrestuar sot nga autoritetet suedeze.

Lajmin për Express e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se sot me datë 03.03.2020 është arrestuar A.H., i dyshuar për vrasjen e prindërve të tij në lagjen “Ortakoll” në Prizren. I njëjti, është arrestuar në Suedi nga autoritetet suedeze, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të Prokurorisë Themelore në Prizren”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, dhe do të paraqesë kërkesë për ekstradim”

Vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, ishte bërë lajm në mediat e këtij shteti.

Policia suedeze kishte thënë se është e përfshirë në hetime.

“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, kishte thënë zëdhënësja Nadia Jaber.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Linn Duvhammar, kishte deklaruar se Qeveria suedeze është në dijeni të ngjarjes.

Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që ka siguruar Gazeta Express, vetëm gjatë vitit të kaluar në vend kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kishin qenë vrasje të rënda.

Bazuar në këto të dhëna, shumica e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Prishtinë dhe Prizren. Ndërkohë, në Pejë, që më parë përmendej për vrasjet e shumta, gjatë 2019’s nuk është kryer asnjë vrasje.

MUND TË JU PËLQEJNË