VV dhe LDK, po bëhen çdo ditë e më armiqësorë, tek takohen për një marrëveshje bashkëqeverisjeje. Sa herë takohen ato, del nga një reagim i anëtarësisë së tyre që tregon anën e errët mes dy partive, që kanë të kaluar konfliktuoze.

Kurti e Mustafa, do të kishte qenë më së miri të mos ishin takuar kaq shumë herë, sepse ata në vend se të ofrohen pas takimeve, janë larguar edhe më shumë.

Të dy partitë në negociata të pambarim, më nuk është normale të arrijnë marrëveshje brenda natës, meqë qe gjashtë muaj nuk janë përafruar.

Në fakt, VV dhe LDK, si koalicioni më i panatyrshëm konceptual, nuk kanë as individë që virtualisht pranojnë se mund të qeverisin bashkë, por vijat e kuqe të secilit për të tjerët kanë qenë arsye që ata të provojnë të përafrohen.

Nëse këto dy parti do të bëhen bashkë për qeverisje, kjo do të ishte befasia e shekullit! A mundë të jenë në miqësi ujku e dhia, kjo realisht nuk është një batutë, por një krahasim objektiv .

Nëse një ditë VV do të lëshojë rrugë duke hequr dorë nga mandatari fitues, kjo parti do ta dëshmojë pafuqinë e vet qeverisëse dhe më nuk do t’i bëje punë as opozita. Nguli sa nguli këmbë Albin Kurti për ta luajtur rolin e fituesit ndaj LDK-së, kjo e fundit, po e tregon fuqinë e vet reale se është faktori numër një për t’i marrur përgjegjësitë e shtetit në një kohë plotë sfida para vetes.

Kështu qysh po shkojnë gjërat, Albin Kurti edhe po t’i thotë një ditë, merrni të gjitha ministritë edhe postet pos ai të bëhet kryeministër, zor që LDK do të pranojë diçka të tillë.

LDK, nuk është e gatshme që t’i djeg ministrat e vet në një qeverisje të Albin Kurtit ku gjërat e mëdha dhe jetike për shtetin, nuk janë të parashikueshme nën urdhëratë e të parit të VV-së.

Njerëzit nuk kanë harruar aktet vandaliste të kësaj partie, sado që për shumë gjëra kanë reaguar me vend. Ndaj “Zajednicës” dhe proceseve të reciprocitetit, por edhe të reagimeve tjera që ka bërë VV, nuk mund të thuhet se ka qenë gabim, por ka pasur gabime dhe teprime të demonstrimeve publike gjë që ka quar në dyshime se kush është Albin Kurti .

Ashtu sikur po shihet edhe tani që nuk është kjo VV ajo që fliste nga opozita, as nga fushata zgjedhore, dhe ashtu sikur po shihet se këta janë edhe më të nënshtruar se PAN-i, po japin shembuj, se çdo gjë e kanë bërë vetëm për pushtet dhe asgjë tjetër.

Në gjithë rrugën politike të Albin Kurtit si opozitar, është pritur rezultati final e ai rezultat e kishte një “Finish” ku ai do ta merrte timonin e shtetit. Dhe, ne jemi në atë momentum me Albin Kurtin së bashku, por gjërat nuk po shkojnë mirë.

Populli e ka dashur Albin Kurtin, por nuk e ka votuar masovikisht për t’u sillur naivisht karshi ujqërve të vjetër politikë të Kosovës.

Ai është dashur të mos e zgjerojë dorën për të vizatuar vija të kuqe ndaj të gjithëve, sepse nëse krejt janë të këqinjë e vetëm Kurti i mirë, atëherë këtu më i keqi del vet Albin Kurti. Sot për sot, qysh po shkojnë gjërat, Albin Kurti është kah e djeg personalitetin e vet.

Ai po e sheh ku e ka burimin problemi me LDK-në, prandaj mirë është të provojë me të tjerët diçka më shumë, e nëse nuk e duan as ata, ky duhet të lëshojë pe.
Më në fund Albin Kurti duhet të tërhiqet nga gara, sepse ai siç po shihet është komplotuar nga spektri politik kosovar. Kaq sa ka mbetur prej tij,është mirë të ruhet për zgjedhjet tjera që vinë pas kësaj. / Safet Krivaca /

MUND TË JU PËLQEJNË