Është mirë që Albin Kurti të mos shprehë ngazëllim të tepruar në intervista dhe debate përballë analistëve në emisione të caktuara, siç ndodhi në “Top Chanell”, shkruan “Kosovarja”.

Albin Kurti mund t’i bëjë vetes dëme të pariparueshme nëse jep premtime të shumta për një qeverisje, e që do të ishte befasuese në realitet. Apo, do të ishte një akt befasie mahnitëse, siç e përjetoi Anglia në Kosovë, me rastin e ndeshjes futbollistike.

Nuk është mirë që ai ta teprojë me një prepotencë të tejdukshme, sepse edhe ashtu kemi shpresa se ai, nëse bëhet kryeministër, do të ndryshojë shumëçka.

Prandaj, ia vlen të mos entuziazmohet përtej logjikës, sepse, në këtë mënyrë siç po vepron, po duket se po i injoron panelistët në audiencë dhe po e tepron me vetëbesim. Po duket sikur po e imiton Adem Demaçin…

Andaj, është mirë ta kursejë veten dhe t’i ruajë idetë, në mënyrë që të tregohet me punë…

Ende pa e marrë postin e kryeministrit dhe ende pa bërë marrëveshje për koalicion me LDK-në, Albin Kurti po flet me emocione të tepruara për tema të karakterit tepër të komplikuar, që njerëzit ia citojnë dhe përmendin më vonë për çfarëdo dështimi që mund t’i ndodhë.

Kosova nuk është ajo që çdo gjë varet nga dëshira e saj, kur janë në pyetje temat që kanë të bëjnë me Beogradin dhe Brukselin.

Shumë shtete, e që kanë qenë më dikush se Kosova, kanë humbur shumëçka nacionale gjatë rrugës së integrimit në BE-së.

Prandaj, edhe Kurti është mirë të mbajë diçka rezervë para mandatit të tij dhe para një rruge të gjatë e të vështirë për dialog me Beogradin në Bruksel.

Kjo, e që po duket si një injorancë e tij në raport me disa të tjerë, që kanë gjuhë politike të Edi Ramës apo të disa të tjerëve, nuk i bën mirë Albin Kurtit të ironizojë përballë tyre publikisht, sepse koha e ardhshme është e rëndë për Kosovën, sidomos kur po i hiqen njohjet, në vend se ato t’i shtohen…

Prandaj, do të ishte mirë që disa debate t’i refuzojë dhe të merret më shumë me ekipet e punës se si do e arrijë koalicionin për krijimin e qeverisë së re. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË