Kandidati fitues për formimin e qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, nuk është mirë të futet në konstalacione pingpongu me LDK-në, për shkak se ai është fituesi, shkruan “Kosovarja”.

Se “Vetëvendosja” e ka një deputet më shumë, flasin mbi 15 mijë vota, që është diferencë nga fituesi i dytë, LDK-ja.

Albin Kurtit, më shumë se në LDK, po i dalin dashamirë në PDK e AAK. Dhe, meqë edhe ata nuk janë më pak shqiptarë se këta të LDK-së, është mirë të ketë edhe opsione të tjera për formimin e qeverisë me ata që nuk qesin pengesa.

Se formimi i qeverisë i takon Albin Kurtit, nuk ka diskutim. Por, është njëfarë turpi që zgjedhjet e 6 tetorit të mos kenë prodhuar akoma një qeveri, aq më keq kur LDK-ja ka këmbëngulur për postin e presidentit, të cilit nuk ia di as emrin e as nuk di kush do të jetë ai!

Kjo i bie si anekdota popullore “Unë e shes livadhin, por e shes qysh dua vetë!”.

Këta burrat e LDK-së duhet të urtohen pak, e jo ta acarojnë punën jo vetëm me VV-në, por edhe me Vjosa Osmanin, duke hedhur gurë mbi kokën e saj se duhet t’u jep llogari pse foli me këtë e atë!

Por, meqë edhe partitë tjera janë shqiptare dhe po tregojnë dashamirësi për Albin Kurtin, bile edhe gatishmëri t’i dalin në ndihmë për ta formuar qeverinë, mandatari duhet ta shmangë kohëzgjatjen boshe dhe ta formojë qeverinë me ata që nuk hedhin pengesa dhe që e njohin Kurtin si kryeministër.

LDK-ja edhe po do të qeverisë, por edhe po qet “kllada” në ujë! Bile, këto “kllada”, duke folur kush t’i teket nga zyrtarët, jo e bëmë kështu e jo ashtu, janë fakte që tregojnë se ata as vetë nuk po bëhen bashkë për të qeverisur dhe janë bërë si thënia e Fishtës “Më parë i bën bashkë një thes pleshta, sesa dy shqiptarë!”.

Opinioni e di, o burrat e LDK-së, ku e ka pasur vendin Vjosa Osmani. E di edhe kush nuk është pajtuar me të. E di edhe pse është stërzgjedhur Isa Mustafa kryetar partie.

Prandaj, bëjeni qeverinë, duke ia lënë mandatarit të drejtën në dorë, sepse ai është fituesi i zgjedhjeve dhe ashtu edhe ju jeni pajtuar që fituesi ta ketë fjalën dhe rolin kryesor.

Nëse nuk janë të gatshëm në LDK të lëshojnë pe për pronësinë e një presidenti anonim, në letër blanko, le të lëshojnë pe për të tjerat parti.

Sepse, nëse shkojnë edhe një herë në zgjedhje, këta më nuk kanë për ta kaluar as pragun! E, sa i rëndë është pragu, pyeteni Fatmir Limajn! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË