Poezi nga Ismail Kadare

Kanë frikë prej teje. O, sa kanë frikë.

Pleq me fytyra plot rrudha, që s’i trembi as bisha, as plumbi,

burra me borsalina dhe çanta, që thirren shpesh nëpër mbledhje,

gra shamizeza, që përballuan trimërisht vdekjet; kanë frikë prej teje.

Ç’i tremb, mos vallë mjegulla jote e bardhë spërkatur aënve me reflekse të çuditshme?

Ngrenë kundër teje

pushkën, shkopin, mallëkimin. Duan të të shtypin

me sënduqet e pajave, të të marrin frymën

me dyshekët e jastëkët e qëndisura.

Hedhin baltën e zezë të shpifjeve mbi rrobën tënde të bardhë.

Pastaj fillojnë sulmin e fjalëve pa fund.

Dashuria? Ah, dashuria, kush ia pa asaj hairin,

pardje u zunë dy fqinjët, i dëgjuat?

(Janë marrë me dashuri)

Tezja jote zvariset gjyqeve. (Ku shkoi dashuria?)

Para tri javësh një vajzë u hodh nga kati i gjashtë.

E dëgjove, ja, këto bën dashuria.

Aherë, si vjellin çdo gjë, ashtu si artileria,

që vjell breshëritë e zjarrit mbi fushën e luftës,

hedhin kundër teje, në sulm të dëshpëruar,

regjimentet e zes të shkesëve.

Por ti,

duke shkundur nga supet baltën

e shpifjeve dhe thashethemeve, duke shkundur

puplat e jastëkëve, naftalinën e sënduqeve,

ngrihesh para tyre edhe më e bukur

nga shenjat e kaltra të goditjeve.

1968

MUND TË JU PËLQEJNË