Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu, që udhëheq edhe bastionin e kësaj partie në Podujevë, si duket nuk ka dalë i kënaqur nga rezultati i Lidhjes Demokratike në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Njeriu i dytë në LDK pas Isa Mustafës, Agim Veliu, që ishte edhe ndër më të zëshmit që kishte kundërshtuar një koalicion të mundshëm parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje e nuk u duk fort i lumtur kur Vjosa Osmani u propozua nga partia si kandidate për kryeministre, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dalë mirë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Në një bisedë për Express, Veliu thotë se pavarësisht se dikush po e paraqet si rritje përqindjen e LDK-së, në zgjedhjet e kaluara nacionale kjo parti kishte pasur përqindje më të madhe.

Kjo deklaratë e tij vjen një ditë pasi që Osmani e prezantoi rezultatin e LDK-së në këto zgjedhje si më të mirin që nga viti 2004.

“LDK-ja nuk ka dalë mirë. LDK-ja nuk ka humbë se nuk ka qenë në pushtet, po LDK-ja nuk ka fituar edhe përqindja e këtyre zgjedhjeve, edhe pse dikush po mundohet me prezantu sikur rritje, nuk ka rritje, që në dy palë zgjedhje të kaluara LDK-ja ka qenë në përqindje më e madhe sesa që e ka përqindjen tash. Në zgjedhjet e kaluara nacionale ka qenë një përqindje më e madhe”, thotë Veliu, derisa shton se ka disa faktorë se pse LDK-ja doli si parti në zgjedhje, e për këtë duhet pyetur ekipi zgjedhor e vetë Vjosa Osmani.

“Këtu ka shumë faktorë, nuk është vetëm një, sigurisht këtë pyetje duhet me ia shtu në radhë të parë kandidates edhe ekipit. Unë ende nuk e kam një vlerësim të qartë. Jam duke punu në këtë drejtim. Sigurisht do të mblidhen organet e partisë, do ta shqyrtojnë krejt ecurinë edhe sigurisht do ta kemi një qëndrim, do të vijmë te një e vërtetë”, ka thënë ai.Nënkryetari i LDK-së ka dyshime edhe për një bashkëpunim të mundshëm me Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Veliu thotë se të dy partitë kanë dallime në programe.

“Vallai shtir e ka se programet tona janë të ndryshme edhe pse prapë këtu dikush po mundohet me paraqitë se këto janë të njëjta. Programet tona janë shumë të ndryshme edhe si parti edhe nuk do të jetë e lehtë, po duhet me bisedu edhe me bë përpjekje me u afru nëse ka ndonjë mundësi, nëse ka hapësirë”, shton, derisa komenton edhe takimin e djeshëm të bërë në mes të krerëve të dy partive.

“Ne fillimisht edhe pse ka ndodhë një takim i parë që nuk është diskutu faktikisht ndonjë modalitet, ne do ta diskutojmë në organet e partisë, edhe do të marrim vendim, çdo vendim të partisë e respektoj”, shton ai.

Agim Veliu në një përgjigje për Express ka komentuar edhe pozitën që po diskutohet se do të marrë pas marrëveshjes për koalicion me VV-në, Vjosa Osmani. Ai thotë se nuk e di a mund të jetë e kënaqur Osmani me emërim vetëm si ministre e Punëve të Jashtme, pasi që fillimisht kishte qenë kandidate për kryeministre.“Nuk e di, nuk e di a mund të jetë e kënaqur me një pozicion të tillë, nuk e di a mund të jetë e kënaqur ajo prej një pretendente për kryeministre, me një post ministror, nuk e di, është çështje e saj, ajo duhet me vendosë, duhet ta thotë fjalën vet”, shton Veliu, derisa komenton edhe se si duhet të bëhet ndarja e ministrive.

“Nuk është najfarë dallimi i madh me vota, duhet edhe VV-ja me pas kujdes shumë se çka po mendon ose si po sillet në deklarimet e para pas zgjedhjeve. Thanë që do t’i kenë shtyllat kryesore, këtë atë me rend, nuk e di se ku e çojnë. Edhe vendimet me organet e LDK-së, edhe bisedat që do të rrjedhin po besoj”, thotë ai.Veliu ka komentuar edhe deklarimin e Kurtit për Listën Serbe.

“Çështja e listës serbe është diçka tjetër, është çështje që ata kanë mendu me votu në atë formë, ata e kanë thënë fjalën e vet, nuk e di si mendon ai me i sistemu këto gjëra”, thotë ai.Sa i përket asaj se LDK mbeti përsëri bastion në Podujevë edhe në këto zgjedhje, Veliu shton se aty është një stabilitet elektoral. I njëjti megjithatë pavarësisht kësaj thotë se nuk preferon ndonjë post ministror por do të qëndrojë kryetar komune deri në fund të mandatit.

“LDK në Podujevë është më stabile, ka vite që në Podujevë është ma e madhja, edhe jemi dega më e madhe në Kosovë, e kemi një stabilitet të elektoratit megjithatë. Unë e kam mandatin tim punën time, nuk i lë qytetarët e Podujevës do të punoj deri në fund të mandatit, me gjithë fuqinë që e kam nëse kam jetë e shëndet”, ka thënë ai.

I pyetur se a është në tryezën e diskutimeve VV-LDK pozita e presidentit, e a mund të ju premtohet kjo Vjosa Osmanit, Veliu ka shtuar se nuk janë në pozicion që të provojnë gjëra.“Nuk kisha dashtë me i komentu skenarët e ndryshme, nuk jemi në pozicion me provu gjëra veç hajt te provoj këtë veç hajt nëse sbon kjo, se besoj që është korrekte në radhë të parë”, ka përfunduar ai.Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë si parti e dytë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, me një rezultat të ngushtë me partinë e parë, VV-në e Albin Kurtit.

Të dy partitë tashmë kanë filluar diskutimet për një koalicion të mundshëm paszgjedhor.

MUND TË JU PËLQEJNË