Kemi pritur shumë që të jemi Kosovë dhe Shqipëri dhe sot ja ku jemi. Vijmë e shkojmë lirshëm, por kjo nuk na mjafton, sepse ne duam për inate të të tjerëve të bëhemi zyrtarisht bashkë dhe të vuajmë edhe më shumë nga bashkimi enorm dhe euforik. Jemi bërë vend me shumë patriotë. Jemi bërë popull tepër patriotik, por nuk po nxjerrim asgjë në dritë…

E kishim lënë të merreshim vesh me një letër. Duhej ta lija te varri i babait, nëse ai do të vdiste para se të bëhej Kosova shtet.

E kishte në shpirt “Ballin Kombëtar”, babai im, ndjesë pastë, dhe atë e donte vetëm pse ishte partia që i donte të gjithë shqiptarët bashkë nën një çati politike. Në kohën e tij nuk ishte arritur kjo ide. Dy herë e kishin dërguar në ushtrinë e Jugosllavisë, me pretekst se nuk e kishte kryer shërbimin komplet… Ai ishte dërguar që të vritej në Tivarin e përgjakshëm, pas një udhëtimi këmbë nëpër Shqipëri, por fati kishte qenë në anën e tij dhe ishte kthyer gjallë.

Dhe, edhe në këtë lloj jete nuk e kishte braktisur nga mendja idenë se Kosova duhej t’i bashkohej Shqipërisë. Mbaj mend një polemikë mes tij dhe një serbi, që kishte dal në gjueti. Kishte ardhur serbi me dy zagarë gjahu dhe ishte futur në arën tonë. Babai e mori qenin tonë dhe i doli para.

“Këtu nuk bëhet gjuetia!”, i tha babai, aq më shumë kur e njohu se kush ishte.
Ai i tha se nuk e dinte se e kujt ishte ara, por babai ia kujtoi se këndej janë arat e katundit tonë dhe nuk bëhet gjahu në to.

“Jemi një, o shok, jetojmë në një shtet, në një vend se tash jemi vëllazërim-bashkim”, i tha serbi babait tim.
Por, ende pa e mbaruar ai fjalën, babai ia ktheu:

“Nuk jemi unë dhe ti një, as nuk kemi qenë kurrë. Po të ishim një, ti nuk do flisje serbisht, por do flisje shqip. Po të isha unë si ti nuk do flisja shqip, por serbisht. Ajo që na ndanë me kuptim është se unë flas shqip e ti serbisht dhe këto dy gjuhë nuk kanë bash asgjë të përbashkët mes vete, prandaj edhe i kemi historitë ndryshe”.

Pas këtyre fjalëve të ashpra i tha që të largohej sa më shpejt nga ara jonë dhe të mos e shohë më në këto anë…
Pas kësaj babai u dergj një kohë dhe vdiq në mars të vitit 1999, saktë më 19 mars, ditë e shtunë, herët në mëngjes. Kurse Kosova u çlirua në qershor të atij viti.
Dy ditë para se të vdiste më tha eja te varri dhe më trego për ngjarjet që do të ndodhin në Kosovë.

Ka ndryshuar shumëçka prej atëherë në Kosovë dhe kjo letër për në botën tjetër kisha dashur të mos mbetej vetëm për babanë, por edhe për të tjerët që mund të kishin pasur kërkesa të ngjashme, sepse as ai nuk ishte më shqiptar se shumë e shumë të tjerë që kishin rënë në prita, në luftëra e në përballje…

Partia e babait më nuk ekziston

Para së gjithash, baba, partia jote, e adhuruara e shpirtit tënd, më nuk ekziston. Partia që ti i thoshe “Balli Kombëtar” më nuk ndihet shumë gjallë. Ka ardhur në Kosovë që nga viti 1999 fuqia ushtarake e NATO-s dhe ëndrrat kanë ndryshuar…

Ne tash e shkelim Shqipërinë pa asnjë frikë, por sërish jemi quar peshë, sepse kërkojmë bashkim zyrtarisht. Duam që kjo gjë të zyrtarizohet me akte, ligje, kushtetutë dhe që njëherë e përgjithmonë ta zgjidhim çështjen e Kosovës, por edhe t’ia plasim zemrën Serbisë…
Por, tash janë përzier gjërat në politikë. Nuk dimë kujt t’i besojmë. Dua të jem sërish vetëm ai fëmija i vogël pranë teje: Ta dua Shqipërinë sikur e doje ti dhe të qaja për të…

Secili do pushtet!

Ti ke vdekur babë, por ëndrrat kanë mbetur si në poezi. Kemi edhe “patriotë” që nuk po zgjedhin metoda e as mënyra si të vihet te pushteti. Secili njeri do pushtet, duke menduar se është më i mençuri!

Jemi shumë parti, gati edhe sa ka njerëz! Secila parti është më patriotike se tjetra… Jemi duke u marr me lumturimin tonë të paqenë! Jemi duke jetuar në shtetin e gjobave në kurriz të fukarenjve, ndërkohë që fabrikat nuk punojnë dhe Kosova nuk shfrytëzohet nga nëntoka.

Dhe, e keqja po ndodh çdo ditë: pasurohen zyrtarët, varfërohet populli…

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË