Organizata Botërore për Sëmundjet Epizootike të Kafshëve (OIE), ka njoftuar se deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme shkencore, ku është identifikuar ndonjë burim dhe rrugë transmetimi e sëmundjes nga kafshët shoqëruese dhe kafshët tjera tek njeriu, shkaktuar si pasojë e virusit COVID-19.

Të dhënat gjenetike kanë zbuluar megjithate se COVID-19 është një lloj koronavirusi (CoV) i cili qarkullon në popullacionin e lakuriqëve të natës me mundësi që transmetimi tek njeriu mund të ndodhë nga një bartës tjetër ndërmjetës. Përhapja e tanishme e COVID-19 është rezultat i transmetimit nga njeriu tek njeriu.

Prandaj kufizimet tregtare nuk rekomandohen duke u bazuar në informacionet aktuale të disponueshme. Deri më tani pasi nuk ka asnjë provë që kafshët shoqëruese mund të përhapin sëmundjen, dhe për më tepër nuk ka asnjë justifikim që të merren masa kundër kafshëve shoqëruese që mund të rrezikojnë mirëqenien e tyre apo masa që mund të kufizojnë lirinë dhe lëvizjen e tyre, sepse nuk ka dëshmi që këto të fundit luajnë rol epidemilogjik në raport me njeriun.

Megjithate Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH/WHO) rekomandon fuqishëm se duhet të zbatohen masat e përgjithshme të higjienës siç janë larja e rregullt e duarve dhe dezinfektimi i tyre pas prekjes së kafshëve dhe produkteve shtazore, si dhe shmangien e prekjes së syve, hundës ose gojës, shmangien e kontaktit me kafshë të sëmura dhe me mbeturinat e kafshëve ose mbeturinat që rrjedhin nga lëngjet e tyre.

Për më tepër, ju rekomandojmë pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta të përgatitura nga OIE lidhur me burimin, rrugën e transmetimit dhe masat profilaktike veterinare dhe higjienike për mbrojtjen e shëndetit të njeriut nga virusi COVID-19.

1. A janë kafshët përgjegjëse për paraqitjen e COVID-19 tek njerëzit sipas Organizatës Botërore për Sëmundjet e Kafshëve – OIE

Rruga e kryesore transmetimit të COVID-19 sipas studimeve duket se është nga njeriu tek njeriu. Provat aktuale sugjerojnë se virusi COVID-19 ka burimin nga kafshët. Hulumtimet në vazhdimësi janë të rëndësishme për identifikimin e kafshëve si burim të sëmundjes dhe përcaktimin e rolit të mundshëm të llojeve të kafshëve si një rezervoar i kësaj sëmundje. Megjithatë, deri më tani, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore për të identifikuar një burim ose për të shpjeguar rrugën e transmetimit nga kafshët tek njerëzit.

Të dhënat e sekuencimit gjenetik zbulojnë se virusi COVID-19 është një lloj i koronavirusëve (CoV) i cili qarkullon në popullacionin e lakuriqëve të natës – Rhinolophus. Ekziston mundësia që transmetimi tek njerëzit përfshinë një bartës të ndërmjetëm. Prioritetet e hulumtimeve për të zbuluar kafshët si burim i sëmundjes u diskutuan nga grupi këshillues joformal i OIE mbi COVID-19 dhe u prezantuan në Forumin “WHO Global Research and Innovation Forum (11-12 February 2020) “nga Kryesuesi i Grupit Punues të OIE-së për kafshët e egra, i mbajtur me datë 11-12 shkurt 2020.

2. A ekzistojnë masa parandaluese që duhet ndërmarrë tek kafshët e gjalla ose produktet shtazore ?

Edhe pse ka paqartësi në lidhje me origjinën e virusit COVID-19, në përputhje me këshillat e ofruara nga OBSH, si një masë e përgjithshme parandaluese, kur vizitoni tregjet e kafshëve të gjalla ose tregjet e produkteve shtazore, duhet të zbatohen masat e përgjithshme të higjienës. Këtu përfshihen larja e rregullt të duarve me sapun dhe shpëlarja e tyre me ujë pas prekjes së kafshëve dhe produkteve shtazore, si dhe shmangien e prekjes së syve, hundës ose gojës, dhe shmangien e kontaktit me kafshë të sëmura dhe me produktet e prishura të kafshëve. Shmangia e kontaktit me kafshë të tjera që mund të gjenden në treg (p.sh. mace, qen me pronar dhe qen endacak, brejtës, zogj etj). Duhet pasur kujdes që të shmangen kontaktet me mbeturinat e kafshëve ose mbeturinat e lëngjeve të kafshëve në tokë, apo në sipërfaqet e shitoreve ose tregjeve.

Rekomandimet e zakonshme të lëshuara nga OBSH për të parandaluar përhapjen e infeksionit përfshijnë larjen e rregullt të duarve, mbulimin e gojës dhe hundës me bërryl kur kolliteni dhe teshtini dhe të shmangni kontaktin e ngushtë me këdo që tregon simptoma të sëmundjeve respiratore, siç janë kollitja dhe teshtitja. Sipas praktikave të mira të përgjithshme për sigurinë ushqimore, mishi i papërpunuar, qumështi ose organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, për të shmangur kryq-kontaminimin e mundshëm me ushqime të pa trajtuara termikisht. Mishi nga bagëtitë e shëndetshme që trajtohet termikisht mbetet i sigurt për t’u ngrënë.

Bazuar në informacionin aktualisht të disponueshëm, kufizimet tregtare nuk rekomandohen.

3. Çfarë duhet të dimë për virusin COVID-19 dhe kafshët shoqëruese ?

Përhapja e tanishme e COVID-19 është rezultat i transmetimit nga njeriu tek njeriu. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që kafshët shoqëruese mund të përhapin sëmundjen. Prandaj, nuk ka asnjë justifikim që të marren masa kundër kafshëve shoqëruese që mund të rrezikojnë mirëqenien e tyre.

Shërbimi Veterinar i Rajonit të Veçantë Administrativ të Hong Kongut në Republikën Popullore të Kinës raportoi në OIE , informacionin se një qen ishte testuar pozitiv ndaj virusit COVID-19 pas ekspozimit të afërt ndaj pronarit të tij që ishte i sëmurë me COVID-19 . Testi, i kryer me pajisjen Real Time PCR, tregoi praninë e materialit gjenetik të virusit COVID-19. Gjatë kësaj kohe qeni nuk kishte shfaqur ndonjë shenjë klinike të sëmundjes.

Nuk ka prova që qentë luajnë një rol në përhapjen e kësaj sëmundje tek njerëzit ose që mund të shfaqin shenja të kësaj sëmundje. Studime të mëtejshme janë të nevojshme për të kuptuar nëse edhe kafshë të ndryshme mund të preken nga virusi COVID-19. OIE do të vazhdojë të sigurojë përditësimin e informacioneve të reja të cilat do te bëhen të disponueshme me kohe.

Sipas OIE nuk ka prova të cilat mbështesin kufizimet në lëvizjen ose tregtinë e kafshëve shoqëruese.

4. Cilat masa parandaluese duhet të ndërmerren nga pronarët kur kafshët shoqëruese ose kafshët tjera kanë kontakt të ngushtë me njerëz të sëmurë ose të dyshuar me COVID-19 ?

Nuk ka raportime që kafshët shoqëruese ose kafshët tjera sëmuren me COVID-19 dhe aktualisht nuk ka asnjë provë që ato luajnë një rol të rëndësishëm epidemiologjik tek kjo sëmundje e njerëzve. Sidoqoftë, për shkak se kafshët dhe njerëzit ndonjëherë mund të bashkëjetojnë me sëmundjet e njohura si sëmundje zoonotike, prapë rekomandohet që personat të cilët janë të sëmurë me COVID-19 të kufizojnë kontaktin me kafshët shoqëruese dhe kafshët e tjera përderisa të dihen më shumë informacione rreth virusit.

Kur kujdeseni dhe manovroni me kafshët, gjithmonë duhet të zbatohen masat themelore të higjienës. Kjo përfshin larjen e duarve para dhe pas kujdesit dhe manovrimit me kafshën, ushqimin e tyre ose furnizimet, si dhe të shmangni puthjet, ledhatimet me shuplake te duarve ose gjatë ndarjes se racioneve ushqimore.

Njerëzit që janë të sëmurë ose janë nën kujdesin mjekësor për COVID-19 , duhet të shmangin kontaktin e ngushtë me kafshët shoqëruese dhe në të njëjtën kohë ta lenë kafshën nën përkujdesin e një anëtari tjetër të familjes. Nëse ata duhen patjetër të kujdesen për ato kafshë, duhet të respektojnë praktikat e mira higjienike dhe nëse është e mundur të mbajnë një maskë për fytyrën.

5. Çfarë mund të bëjnë Autoritetet Veterinare Kombëtare në lidhje me kafshët shoqëruese ?

Institucionet e Shëndetit Publik dhe Shërbimet Veterinare duhet të punojnë së bashku duke përdorur qasjen “One Health” për të shkëmbyer informacione dhe për të kryer një vlerësim të rrezikut kur një person me COVID-19 është në kontakt me kafshët shoqëruese ose kafshët tjera.

Nëse një vendim merret si rezultat i një vlerësimi të rrezikut për të testuar një kafshë shoqëruese e cila ka pasur kontakte të ngushta me një person / pronar të infektuar me COVID-19, rekomandohet që RT-PCR të përdoret për të testuar mostrën e marrur nga goja, hunda , apo fecesi .

Përderisa , nuk ka asnjë dëshmi të një infeksioni COVID-19 që përhapet nga një kafshë në një tjetër, mbajtja e kafshëve që rezultuan pozitive për COVID-19 larg nga kafshët e pa ekspozuara duhet të konsiderohet praktika më e mirë.

6. Cilat janë përgjegjësitë ndërkombëtare te Autoritetit Veterinar në këtë ngjarje ?

Zbulimi i virusit COVID-19 te kafshët duhet të raportohet në OIE përmes platformës WAHIS, në përputhje me Kodin Shëndetësor të Kafshëve të OIE si një sëmundje e raportueshme.

Prandaj, çdo zbulim i virusit COVID-19 në një kafshë (përfshirë informacionin në lidhje me speciet, testet diagnostikuese dhe informacionin përkatës epidemiologjik) duhet t’i raportohet OIE.

Është e rëndësishme që Autoritetet Veterinare të qëndrojnë të informuar dhe të mbajnë lidhje të ngushtë me autoritetet e shëndetit publik dhe ata që janë përgjegjës për jetën e kafshëve të egra, për të siguruar një komunikim menaxhimin e rrezikut të përshtatshëm dhe koherent .

Është e rëndësishme që sëmundja COVID-19 të mos çojë që të marren masa të papërshtatshme kundër kafshëve shtëpiake ose të egra që mund të rrezikojnë mirëqenien dhe shëndetin e tyre e të cilat masa do të kenë një ndikim negativ në biodiversitetin e tyre. Burimi: AUV

MUND TË JU PËLQEJNË