Në këtë 28 Nëntor nuk ka festë, ka lot, mërzi, trishtim. E zeza po e dominon të kuqen. Sheshet e Prishtinës me shumë njerëz, ama atmosfera është mbytëse.

“Kosovarja” ka shëtitur rrugëve të kryeqytetit kosovar dhe ka folur me disa qytetar. I pyetëm për 28 nëntorin, për bashkimin kombëtar, e për të tjera.

Armend Burveniku për revistën “Kosovarja”, na tha: “Edhe pse ka qenë festë unë i kom pas do punë të mija edhe më është dashur të punoj. Dëshira ime momentale është që kombi shqiptar të shërohet prej kësaj tragjedie që e ka gjet, sidomos ata që vuajnë më së shumti, në Durrës e në rrethinë. Do të doja t’i shihja së bashku në Bashkimin Evropian, e jo në një shtet të vetëm”.

U vërejt që dëshira më e madhe e qytetarëve është që të behët bashkimi i të dyja vendeve. Këtë e kanë bërë të ditur gjatë intervistave për revistën”Kosovarja”.

Petrit Alabaku, thotë: “Dita e sotme u kon mirë, ka shkuar mirë. Do të doja t’i shihja të solidarizuar të gjithë shqiptarët me njëri-tjetrin sikur tash që po solidarizohen me Shqipërinë, me i pa sa më të bashkuar, dhe do të doja të ishim në një shtet të vetëm”.

Fatmir Babiqi nga Prishtina na tha se “Dita e 28 nëntorit sivjet ishte një ditë e zakonshme, ditë pikëllimi. “Na ka prek në zemër ton popullin shqiptar ajo që ndodhi në Shqipëri nga tërmeti e kështu që askush nuk është ndjerë i kënaqur për këtë festë. Dëshira imë është që të bashkohemi sa më shpejt dhe besoj që duhet të ndodh gjithsesi”.

Gjatë shëtitjes sonë nëpër sheshe, takuam edhe Elona Sejdiu, e cila u shpreh kështu: “Dita e 28 nëntorit ishte e trishtuar. Do të doja të shihja kombin shqiptar më një zhvillim ekonomik më të madh edhe solidarizimi që është duke u bërë për Shqipërinë po më pëlqejnë këto gjeste. Do të doja të bashkoheshim me Shqipërinë dhe kjo është dëshirë e kamotshme”.

Albina Koca: “Sot ka qenë ditë e zakonshme në punë por nuk ka qenë si çdo vjet që ka qenë 28 nëntori. Pasi që këtë herë siç e dimë krejt ka ndodhur kjo fatkeqësi në Shqipëri edhe ka qenë një 28 nëntor jo festiv, jo i këndshëm, jo i mirë. Më pëlqen solidarizimi për qytetarët në Shqipëri dhe po besoj që një solidarizim më i madh dhe një dashuri më e madhe kish me qenë mirë, se kjo i duhet vendit tonë. Ëndërr e jona është që Kosova me Shqipërinë me u bashku dhe shumë shpejt me qenë pjesë e Bashkimit Evropian”.
Kosovarja

MUND TË JU PËLQEJNË