Më 28 Nëntor bëhen 107 vjet që kur u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Deri në arritjen e kësaj dite u bënë përpjekje gati 500 vjeçare që nga koha e Skënderbeut, kryengritjeve dhe lidhjeve të shumta të shqiptarëve për çlirim nga pushtuesi osman.

Përkundër synimit për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe shpalljen e pavarësinë në këto territore, një gjë e tillë nuk u arrit, pasi ato u copëtuan në konferencën e ambasadorëve në Londër, nga Rusia dhe Franca me disa shtete të Ballkanit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, hapja e shkollës së parë shqipe në Elbasan më 1887, Lidhja e Pejës më 1899, dhe Kongresi i Manastirit më 1908, i kanë paraprirë shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, në Vlorë. Krahas tyre edhe iniciativat e atëhershme diplomatike të rilindëseve tanë që angazhoheshin për çlirim nga osmanët, por edhe lufta ndaj popujve fqinje sllave të cilët kishin dhe vazhdojnë të kenë ‘apetite’ për trojet shqiptare.

Mbi këto përpjekje shumëvjeçare të shqiptarëve për pavarësi dhe shumë çështje tjera japin detaje për KosovaPress, anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, historiani Frashër Demaj, anëtari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Beqir Meta dhe profesoresha e historisë, Ledia Dushku.

Historiani Demaj thotë se përpjekja e parë dhe serioze për formimin e shtetit shqiptar ishte Lidhja e Shqiptare e Prizrenit, e cila sipas tij, bashkoi territoret shqiptare dhe se qysh në atë kohë diheshin në çfarë territore shtriheshin shqiptarët.

Ai thotë se synimi fillimisht ka qenë autonomia brenda Perandorisë Osmane, e më pas pavarësia.

Demaj thotë se qëllimi kryesor ka qenë bashkimi i katër vilajeteve shqiptare në një të vetëm.

E mbi shtrirjen e territorit shqiptarë në atë kohë dhe numrin e popullsisë, të dhëna për KosovaPress, paraqet anëtari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, njëherësh drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta.

Ai thotë se territori i katër vilajeteve shqiptare, ai i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, qysh prej Lidhjes së Prizrenit ka qenë rreth 56000-58000 kilometra katror. Me një popullsi prej 2.2 milionë banorë deri në 2.5 sosh.

Objektivi për bashkim të këtyre vilajeteve sipas profesor, Metës ka vazhduar edhe në shpalljen e pavarësisë në 1912. Teksa thotë se pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha territoret shqiptare.

Historiani Meta thotë se në shpalljen e pavarësisë këto territore i kanë njohur si të banuara me shqiptarë edhe fuqitë e mëdha evropiane, por formalisht nuk i kanë pranuar.

Këtë e siguron siç thotë, korrespodenca diplomatike Austro-Hungareze, Italiane, Britanike dhe në disa dokumente burimet Franceze.

Mbi përpjekjet për pavarësi dhe fillimin e luftërave ballkanike jep detaje profesoresha, Ledia Dushku.

Ajo thotë se kur fuqitë e mëdha u deklaruan për ndryshim të statusit në Ballkan, filluan tentativat për mbajtjen e një kuvendi për t’i mbledhur shqiptarët nga gjithë krahinat.

Dushku u shpreh për KosovaPress, se tentativa e parë ishte rreth muajit shtator të vitit 1912 nga Sylja Vlorën dhe të birin Eqrem Vlorën që kryesisht orientoheshin në aspektin diplomatik, por që dështoi. Pas saj ishte iniciativa e dytë nga Shkupi të Shoqërisë “Dora e Zezë” dhe “Shpëtimi”, nga Sali Gjuka, Mit’hat Frashëri por pa sukses.

Këto dështime, sipas saj, arritën për shkak të një mungesë të qendrës organizative nga shqiptarët, teksa u shpreh se në momentin e fundit të luftës ballkanike, atëherë kur u kuptua se Perandoria Osmane do të ishte humbësja e kësaj lufte erdhi iniciativa e tretë me sukses nga Ismail Qemaili. I cili pasi siguroi mbështetjen e Austro-Hungareze dhe Italiane, shkoi në Kuvendin e Vlorës për të shpallë pavarësinë. Në këtë kuvend historik, Kosova sipas saj, përfaqësohej nga Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka, Mih’tat Frashëri dhe Isa Boletini.

Kjo dëshmohet edhe në fotografitë në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Pas shpalljes së pavarësisë erdhën vendimet shumë të vështira për shqiptarët. Në situatën e krijuar në vitin 1913, u organizua konferenca e ambasadorëve në Londër, ku u copëtuan territoret shqiptare.

Në lidhje me këtë, drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta i paraqet propozimet e dhëna në atë kohë, nga palët përshirë Perandorinë Austro-Hungareze dhe ato Ruse.

Sipas tij, Austro-Hungarezët me mbështetjen e Italisë dhe Gjermanisë, paraqitën një projekt kompromisi ku kufijtë e shtetit shqiptarë i përfshinin një pjesë të Kosovës, por liheshin disa territore të banuara me shqiptarë jashtë.

Kurse, propozimi më i keq në këtë konferencë ishte ai i Rusisë me mbështetjen e shteteve sllave, ku Shqipëria reduktohej në një Shqipëri të mesme me popullsi myslimane.

E kompromisi në kuadër të diskutimeve të fuqive të mëdha ishte reduktimi i projektit austro-hungarez, që është Shqipëria e sotme, por edhe zmadhimi i projektit të prezantuar nga rusët.

Mbi këtë kompromis u njohë dhe u pranua pavarësia e shtetit shqiptarë nga fuqitë e mëdha. E për këtë vendim të konferencës së ambasadorëve në Londër, historiani Frashër Demaj thotë se me shumë se gjysma e territoreve shqiptare kanë mbetur jashtë shtetit shqiptarë.

Populli shqiptarë asnjëherë nuk u pajtua me ketë ndarje duke vazhduar luftën për bashkim me Shqipërinë. Pas copëtimit të shtetit shqiptarë më 1913, që ishte e përfshirë në katër vilajete apo njësi administrative, territoret shqiptare u copëtuan duke mbet Çamëria e pushtuar nga Grekët dhe pjesët e tjera ndër pushtimin jugosllavë.

Tokat shqiptare gjatë pushtimit jugosllavë u copëtuan përsëri duke iu dhënë një pjesë Malit të Zi, një pjesë Serbisë dhe gjysma e Maqedonisë së sotme, e cila u krijua pas luftës së dytë botërore, është me toka shqiptare.

Pas luftës se dytë botërore, shqiptarët nën pushtimin e Jugosllavisë, asnjëherë nuk u ndalën duke arritur që një pjesë të quajtur tani Kosovë të krijuar artificialisht nga ish-Jugosllavia ( Vilajeti apo Republika e Kosovës me herët e kishte qendrën në Shkup) të marrin autonomin, të rikthejnë me protesta dhe gjak përdorimin e Flamurit kombëtar më 1968, të themelojnë universitetin më 1970, të marrin të drejtat e Republikës me kushtetutën e 1974-s, të kërkojnë Republikë me 1981 dhe pas një lufte të përgjakshme dy vjeçare më 1998-1999, me pushtuesin serbë, ku u vranë mijëra ushtarë shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u masakruan mijëra civilë dhe u dhunuan mbi 20.000 gra shqiptare, të shpallet pavarësia në vitin 2008, shteti i dytë shqiptarë në Evropë, Republika e Kosovës.

MUND TË JU PËLQEJNË